Monopol dhe humbje e parasë publike në furnizimin e centralizuar me derivate

21.04.2016

KDI ka gjetur se kosto e pagesës së premiumit për furnizim me karburante është dyfishuar nga i njëjti furnizues kur ka lidhur kontratë me të njëjtën agjenci. Kjo mund ti kushtojë buxhetit më shumë se 371 mijë euro. Këto gjetje u prezantuan në një konferencë për shtyp të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) me rastin e shpalosjes së raportit “Furnizimi me Naftë: Monopol dhe humbje e parasë publike”.

 

Ky raport ishte vazhdimësi e monitorimit paraprak të prokurimit publik në Autoritetin Qendror të Prokurimit (AQP) me qëllim të analizimit të procedurave të tenderimit dhe dhënies së kontratës, monitorimin e zbatimit të kontratës dhe adresimin e gjetjeve të mundshme.

 

Aplikimi i prokurimit të centralizuar dhe pse mund të dëmtojë konkurrencën, sipas KDI-së është i pranueshëm nisur nga premisa për kursim dhe menaxhim më të mirë të parasë publike, e që do të përkthehej në mirëqenie më të mirë për qytetarët.  

 

Kjo kishte ndodhur me kontratën e parë që AQP kishte nënshkruar me operatorin ekonomik HIB Petrol shp.p.k në. Sipas ekspertëve të fushës, kursimet nga prokurimi i centralizuar arrinin shumën 700.000  deri 900.00. Këto gjetje u prezantuan nga KDI në dhjetor 2015 në raportin Paraja publike apo konkurrenca?

 

Mirëpo, kontrata e dytë me HIB Petrol shp.p.k, prapë nga AQP, për 80 autoritete kontraktuese, është për 371 mijë euro më e shtrenjtë se kontrata e parë, po të krahasohen sasitë e njëjta të derivateve.

 

Artan Canhasi, Menaxher i Programit për Transparencë dhe Kundër-Korrupsion në KDI tha se AQP, me këtë rast, me qëllim të kursimit të parasë publike, dhe brenda dispozitave aktuale ligjore është dashur të anuloj tenderin në fjalë, dhe të ri tenderojë shërbimet për furnizim me derivate për 80 Autoritete kontraktuese

Hulumtimi është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.