Mbi 20 raste të veprimeve joligjore në regjionin e Prizrenit

01.01.2011

Prizren, 18 tetor 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar të gjeturat nga ?Analiza Krahasuese? në të cilën paraqitet një përmbledhje rreth raporteve të kuvendeve të Komunave të Regjionit të Prizrenit me organin mbikëqyrës – Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje, punën e kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit në periudhën Korrik – Shtator 2010 dhe proceset buxhetore nëpër komuna.
Gjatë monitorimit të punës së Kuvendeve të Komunave të Regjionit të Prizrenit, KDI ka evidentuar mbi 20 raste të veprimeve joligjore të këtyre organeve, duke përfshirë mos mbajtje të numrit të nevojshëm të seancave, miratimin e buxhetit pa konsultim me qytetarë etj. Në këtë kontekst Kuvendi i Komunës së Prizrenit prin me numrin më të madh të shkeljeve ligjore.
?MAPL dhe kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit nuk kanë treguar pjekuri institucionale në funksion të sigurimit të ligjshmërisë në punën e organeve të vetëqeverisjes lokale. Krahas kësaj, institucionet në fjalë kanë treguar mungesë të theksuar kapaciteti, por edhe vullneti politik, gjithnjë me synim të ushtrimit të detyrave të tyre në përputhje të plotë me ligjet në fuqi? ka thënë Ramadan Klisurica, koordinator në KDI.
Një tjetër burim të shqetësimit për punën normale të kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit paraqet edhe bojkotimi, në disa raste, i punës së këtyre organeve nga ana e subjekteve politike të opozitës. KDI konsideron se roli i të gjithë anëtarëve të zgjedhur të kuvendeve të komunave është përfaqësimi i interesave të qytetarëve dhe transmetimi i kërkesave dhe brengave të tyre në institucionet në të cilat janë zgjedhur. Andaj, përkushtimi maksimal në zbatimin e obligimeve ligjore dhe morale nga anëtarët e subjekteve politike do të ishte kontributi më i madh i tyre në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë sonë dhe do të sillte përfaqësim më dinjitoz të qytetarëve në organet e vetëqeverisjes lokale.

Nga raportet e siguruara nga komunat e Regjionit të Prizrenit mbi realizimin e planeve buxhetore përkatëse në periudhën gjashtëmujore të vitit 2010, kuptojmë se kemi të bëjmë me stagnim të Komunës së Prizrenit në drejtim të realizimit të buxhetit në përputhje me planifikimet e bëra ngase ajo ka shpenzuar vetëm 19.7 % të buxhetit të paraparë për tërë vitin 2010. Në këtë segment prin Komuna e Malishevës e cila në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka shpenzuar 49.9 % të buxhetit të planifikuar për tërë vitin 2010.
Nga ana tjetër, shohim se Komuna e Suharekës ka arritur nivelin më të lartë të sigurimit të të hyrave të planifikuara për këtë vit. Kjo komunë, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ka arritur të inkasojë gjithsej 54.5 % të të hyrave të planifikuara për gjithë vitin 2010.
Në këtë segment Komuna e Mamushës është në gjendje të palakueshme, pasi gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2010 ka arritur të inkasojë vetëm 19.7 % të të hyrave të planifikuara për gjithë vitin 2010.

Instituti Demokratik i Kosovës i bën apel të gjithë qytetarëve të secilës komunë, që të jenë në nivel të përgjegjësive të tyre dhe si qytetarë të ndërgjegjshëm t`u përgjigjen institucioneve shtetërore në kryerjen e obligimeve ligjore.

Shkarkoni analizën këtu