Mbahet tryeza Dialogu në udhëkryq: çka pas murit?

23.12.2016

Tryeza që KDI organizoi me temë “Dialogu në udhëkryq: çka pas murit?”, kishte për qëllim të adresonte të vërtetat mbi murin në Veri, pasojat që sjell në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe format se si mund të zgjidhet kjo situatë.

Pjesë e këtij debati ishte Ministrja e Dialogut znj.Edita Tahiri, deputetë të Kuvendit të Kosovës: znj.Blerta Deliu-Kodra dhe z.Sadri Ferati si dhe diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Në hapje të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i KDI-së, z.Ismet Kryeziu, theksoi faktin se mungesa e transparencës ka krijuar një paqartësi tek qytetarët si shqiptarë ashtu edhe serb në procesin e  dialogut, rreth marrëveshjeve të arritura dhe përmbajtjes së tyre si dhe rreth efekteve që do të sjellin në jetën e tyre. Kryeziu shtoi ndër të tjera se KDI-ja ka marrë iniciativën për të fuqizuar rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa Ministrja e Dialogut, znj. Edita Tahiri, ndau me të pranishmit impaktin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi në shpërbërjen e strukturave paralele ilegale serbe, në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e vendit si dhe në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ajo theksoi se muri do të hiqet dhe se  nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve e as e bisedimeve në Bruksel, duke e cilësuar atë si provokim i rradhës nga ana e Serbisë.

Deputetja nga radhët e PDK-së znj. Blerta Deliu-Kodra, theksoi se ndërtimi i murit ka qenë shqetësim i të gjithë spektrit politik në Kosovë si dhe ka rënduar klimën politike në vend.
Ajo shtoi se dialogu ka prodhuar edhe efekte pozitive dhe se rruga jonë e vetme si shtet është dialogimi.  Ajo tha se nuk është mirë që përderisa ne përpiqemi të dialogojmë atje të na ndodhin ngjarje të tilla të papritura. Znj.Deliu-Kodra shprehu përkushtimin e saj për të rritur kërkesën për transparencë në këtë proces.

Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, z.Sadri Ferati, ka thënë se ne nuk e dimë nëse muri ka qenë pjesë e diskutimeve në Bruksel por ka thënë se çështjes së ndërtimit të murit në Veri të Mitrovicës duhet t’i qasemi si institucione. Ai theksoi se nuk duhet të lejomë që një muri të na zhvendos nga agjendat e rregullta. Z.Ferati shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si qytetarët shqiptarë jetojnë në Veri dhe ka theksuar nevojën për mbështetjen institucionale për përmirësimin e jetës së tyre duke lënë anash retorikat politike.
Gjithashtu z.Ferati u bëri thirrje përfaqësuesve serb që të jenë më aktiv dhe  të dëshmojnë që e dëshirojnë paqen dhe bashkëjetesën.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit të KDI-së që synon fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky projekt financohet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.