Duke u bazuar në Vlerësimet e Sistemit Kombëtar të Integritetit të kryera në të gjithë vendet kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së, përfaqësues të degëve kombëtare të Transparency International nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia u mblodhën për të diskutuar arkitekturën institucionale për luftimin e korrupsionit. Përfaqësuesit e TI ishin të shoqëruar nga zyrtarët publikë të agjencive anti-korrupsion dhe prokurorive të shtetit të secilit vend për të ndarë përvojat e vendeve të tyre.
Mungesa e vullnetit politik në luftën kundër korrupsionit ka qenë një temë e përbashkët dhe e definuar si pengesa kyçe në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme socio-ekonomike në rajon. “Në Kosovë, mungesa e vullnetit politik çoi në mbivendosje institucionale dhe dobësi në sistemin gjyqësor në luftën kundër korrupsionit”, tha Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). “Arsyeja se pse janë krijuar aq shumë mekanizma – duke filluar nga Agjencia Kundër Korrupsionit deri te Këshilli i Presidentes – ishte për të dhënë përshtypjen se qeveria është duke luftuar korrupsionin, ndërkohë që në praktikë asgjë nuk është realizuar në atë drejtim”, ka thënë z. Sutaj. Një trend i ngjashëm i krijimit të iniciativave dhe institucioneve të reja ndiqet në shumë vende ish-socialiste të Ballkanit, por që nuk kanë dëshmuar të jenë efektive në praktikë.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon bashkëpunim të ngushtë nga të gjithë akterët, dhe kjo mangësi është një nga të gjeturat kryesore të KDI-së. Ju jeni këtu, ose sepse jeni pjesë të institucioneve që luftojnë korrupsionin ose jeni aleatë shumë i rëndësishëm në këtë përpjekje, qoftë si organizata të shoqërisë civile” u shpreh Anja Osterhause nga Sekretariati i Transparency International në Berlin.
“Ne e shtyjmë gjyqësorin t’a kryejë punën e vet, ata janë të pavarur dhe duhet të jenë të pavarur. Nëse nuk e kryejnë punën e tyre, atëherë gjyqtarët nuk kanë nevojë të mbajnë atë vend pune për 20 vjet”, tha Dragan Slipac, zëvendës drejtor i AKK për Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Për dallim nga korrupsioni politik, korrupsioni i vogël është në rënie në 2-3 vitet e fundit, ndërsa gjyësori është i dobësuar dhe jo, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik për t’a luftuar atë. Gjyqtarët nuk janë jokompetentë, por të janë të ndikuar politikisht. Turqia nuk disponon me AKK, megjithatë një agjencion i vetëm nuk është kurë për gjithë korrupsionin, sidomos nëse është i kapur”, tha Muhittin Acaar, profesor i administratës publike nga Turqia.
Roli i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Këshillit të Presidentes Kundër Korrupsionit dhe forcat e tjera punuese të shumta të vendosura nga qeveria dhe Prokurori i Shtetit, u vënë në pyetje gjatë diskutimit. Artan Canhasi nga KDI tha: “kompetencat e Agjencisë në zbatimin e ligjit nuk po sjellin rezultatet e duhura dhe këto burime do të mund të zhvendoseshin në parandalimin e korrupsionit dhe kompetencave për vetëdijesimin dhe edukimin publik”. “Kosova mund të bëjë pa Këshillin e Presidentes, një njësi të unifikuar të policisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik, dhe vetëm Zyrën e Prokurorit Special në çështjen e forcave të shumta punuese brenda Prokurorit të Shtetit”, shtoi Canhasi.
Ky aktivitet është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian.