Mbahet diskutim online mbi qëndrimet e qytetarëve të Kosovës për integrimin evropian dhe nivelin e informimit të qytetarëve për këtë proces

Tryeza 27.05.2021

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin online me temën “Si e kuptojnë qytetarët procesin integruese të Kosovës drejt BE-së” me ç‘rast është përmbyllur projekti 1 – vjeçar “Promovimi i vlerave të përbashkëta evropiane”. Në kuadër të këtij diskutimi u prezantuan të gjeturat preliminare nga pyetësori online që KDI ka realizuar lidhur me qëndrimet e qytetarëve për integrimin evropian në përgjithësi dhe për Bashkimin Evropian në veçanti.

Në këtë tryezë virtuale me njohës të politikave të BE-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë u diskutua rreth qëndrimeve që kanë qytetarët e Kosovës për integrimin evropian. Ndër tjerash, ekspertët e fushës kanë dhënë perspektivën e tyre mbi atë se cilat janë sfidat dhe rruga përpara e Kosovës në procesin e integrimit dhe sa janë të informuar qytetarët mbi atë se çfarë ofron BE-ja në termat ekonomike, sociale, politike e kulturore.

Agnesa Haxhiu, menaxhere e projektit në KDI gjatë prezantimit të të gjeturave tha se pyetësori online është lansuar në fillim të muajit të maj dhe është realizuar me 500 respondentë, dhe i njëjti është duke u realizuar edhe në tri shtete të tjera që po zbatojnë projektit e njëjtë në Hungari, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani ndërkaq sqaroi që raporti i plotë me këto të dhëna do të publikohet ditët në vijim. Nga të dhënat preliminare të këtij pyetësori del që rreth 78 % e respondentëve kanë deklaruar se do të votonin pozitivisht në rast të një referendumi të mundshëm lidhur me anëtarësimin në BE, në anën tjetër mbi 67 % e respondentëve konsiderojnë që Kosova do të përfitonte shumë nga ky anëtarësim. Rreth 60% e respondentëve konsiderojnë që BE-ja ka bërë pak për të nxitur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE, por një përqindje prej rreth 47% mendojnë që ndikimin i BE-së në formësimin e politikave në Kosovë ka qenë i madh.

Eraldin Fazliu nga Prishtina Insight duke folur mbi qëndrimet e qytetarëve sa i përket integrimit evropian tha se në diskursin publik në Kosovë nuk ka ekzistuar alternativë tjetër përveç asaj të integrimit evropian por në anën tjetër ka munguar debati në Kosovë mbi atë se pse është i dobishëm anëtarësimi në BE. Sipas tij qytetarët nuk janë të informuar për ndikimin ekonomik, politik e kulturor që do të mund të ketë anëtarësimi në BE pavarësisht faktit që e mbështesin integrimin evropian. Ai theksoi se ndonëse gjithmonë është proklamuar në diskursin publik që jemi në rrugën drejt BE-së, nëse shohin në aspektin socio – ekonomik Kosova ka pasur në vazhdimësi ngecje. Për këtë arsyeje, sipas tij qytetarët e Kosovës e shohin si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave sepse e konsiderojnë si mundësi për tu larguar nga Kosova në kërkim të një perspektive për zhvillim më të mirë për ta.

Në anën tjetër, Besnik Vasolli – njohës i procesit të integrimit evropian tha se BE-ja nuk po e shfrytëzon sa duhet besimin që kanë qytetarët e Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane, gjë e cila ka reflektuar edhe në strategjinë për zgjerim ku është parë një lloj ftohje e qëndrimeve për zgjerim nga shtetet anëtare të BE-së. Kjo qasje e BE-së sipas tij ka nxitur shtetet e Ballkanit Perëndimor të mos kenë prioritet ndërmarrjen e reformave të duhura, të vazhdojnë me kapjen e shtetit dhe me krim e korrupsion. Sa i përket progresit të Kosovës në ndërmarrjen e reformave në kuadër të procesit të integrimit, z.Vasolli vlerësoi si të dobët performancën e institucioneve në këtë drejtim duke e cilësuar si progres të limituar zbatimin e MSA-së deri tani.

Kurse Senem Safçi nga KCSF e ka konsideruar si pozitive nivelin e lartë të besimit të qytetarëve të Kosovës në perspektivën evropiane dhe besimin në vlerat që promovon BE-ja si demokracia, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e mediave etj. Sipas saj, duhet të bëhet dallim mes zbatimin të duhur dhe efikasitetit të këtyre vlerave nga ana e institucioneve të Kosovës dhe rëndësinë e dhënë nga qytetarët e Kosovës për këto vlera. Prandaj sipas saj është e rëndësishme pjesëmarrja aktive e qytetarëve në zbatimin dhe forcimin e këtyre vlerave ndërsa institucionet duhet të krijojnë mekanizma për t’i informuar dhe ngritur kapacitetet për qytetarët për mundësinë e përfshirjes në këto procese të vendimmarrjes.

Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave të përbashkëta evropiane” që financohet nga programi ‘Evropa për Qytetarët’ dhe implementohet nga KDI së bashku me tri organizata partnere,  Transparency International nga Hungaria, Transparency International Maqedonia dhe organizata Forumi i Ekspertëve nga Rumania.