Me rastin e 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) rithekson kërkesën e saj për institucionet vendore për vendosur luftimin e korrupsionit si prioritet kryesor në agjendën shtetërore.
15 vite më parë, në këtë datë hyri në fuqi Konventa e OKB-së Kundër Korrupsionit, e cila bën thirrje për forcimin e masave parandaluese, përfshirjen e veprave korruptive në kodet penale të shteteve nënshkruese, thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe ndjekjen e korrupsionit, fuqizimin e asistencës teknike dhe shkëmbimin e informacionit mes shteteve dhe ndërtimin e mekanizmave zbatues. Kjo konventë mbetet i vetmi mekanizëm ligjor ndërkombëtar i nënshkruar nga 187 palë (duke përfshirë 181 vende anëtare të OKB-së).
Në një vit të paprecedentë si ky me pandeminë, ku të gjitha shtetet u shtrënguan të ndërmarrin masa të rëndësishme për të adresuar urgjencën shëndetësore dhe për të shmangur një kolaps ekonomik global, KDI rreshtohet përkrahë mesazhit kryesor të OKB-së “Rimëkëmbje me integritet” duke vënë theksin në nevojën për të adresuar rimëkëmbjen nga COVID 19 në mënyrë të përgjegjshme, me transparencë të plotë dhe me integritet. Kjo për faktin se pandemia, më shumë se kurrë ka vënë në pah dobësitë e shteteve karshi korrupsionit.
KDI gjatë gjithë 2020 ka vazhduar të monitorojë procesin e prokurimit publik, me fokus në sektorin e shëndetësisë për të siguruar që blerjet dhe shërbimet gjatë emergjencës shëndetësore të jenë transparente, në përputhje me ekonominë e tregut të lirë dhe konform nevojave të qytetarëve. KDI ka informuar në vazhdimësi publikun për këto gjetje, ndërsa si rezultat i dyshimeve të ngritura lidhur me fryrjen e çmimeve dhe shkeljen e konkurrencës shumë kontrata publike janë duke u hetuar nga prokuroria.
KDI ka vazhduar me ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e korrupsionit, dëshmitarët dhe sinjalizuesit e veprave korruptive. Shumë punëtorë të cilët kishin humbur vendet e punës gjatë pandemisë apo nuk kishin realizuar të drejtën e pagesës nga pakoja emergjente kanë kërkuar ndihmë ligjore.
Ceremonia e sotme e ndarjes së shpërblimeve për foton më të mirë si një aktivitet tradicional ofron një formë tjetër të vetëdijesimit të qytetarëve rreth së keqes shoqërore. Imazhet të cilat i kanë dërguar qytetarët flasin “më shumë se 1000 fjalë” për efektet shkatërruese të korrupsionit në jetën e njerëzve e sidomos të grupeve më të rrezikuara – fëmijëve dhe të moshuarve.
Viti 2021, i cili duket se do të fillojë me imunizimin masiv të popullsisë pas zbulimit të vaksinës kundër Covid-19 dhe me rimëkëmbjen graduale të njerëzimit, do të jetë dëshmitare edhe e një ngjarje të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit – Sesionit të Parë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kushtuar përpjekjeve tona të përbashkëta kundër korrupsionit (UNGASS 2021). Urojmë që sesioni i parë i tillë në historinë e njerëzimit të shtyjë më tej luftën tonë kundër korrupsionit në mënyrë që “njerëzimi të filloj rimëkëmbjen me integritet”.
Linku i ekspozitës virtuale: https://www.artsteps.com/view/5fc75b2bc057310cfe3a026d?fbclid=IwAR2mHQjrP2SWzJg361NJ6Q6_v1tGjjYdW5dmn6QjxHvGKSyi0bvxGUuBdk8