Në një të kaluar jo shumë të largët, Kombet e Bashkuara aprovuan Konventën kundër Korrupsionit dhe zgjodhën ditën e sotme, 9 dhjetorin për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Kjo për t’a institucionalizuar këtë luftë në vetëdijen e qytetarëve dhe instiuticioneve gjthandej në botë.
Deri në ç’masë mund të manifestohet kjo ide në Kosovë është ende pikëpyetje. Sfida më e madhe rrjedh nga mungesa e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike. Fatkeqësisht, ky mosbesim vështirëson përpjekjet e shoqërisë civile dhe mediave për të ndikuar në uljen e nivelit të korrupsionit. Andaj në këtë ditë jo të rëndomtë ne ende mbesim të pashpresë nëse nesër do mund t’ia dalim, e të solidarizohemi për ta luftuar korrupsionin.
Sot, besimi dhe shpresa për një Kosovë të pakorruptuar është luks. Vendi ynë gëzon statusin e një prej shteteve më të korruptuara në Ballkan – me shkallën më të lartë të varfërisë dhe papunësisë në Evropë. Për ironi, raporti i fundit i progresit për Kosovën përmend fjalën korrupsion plot 66 herë, dyfish më tepër se raporti dy vjet më parë. Si rezultat, korrupsioni ka rezultuar në atë çfarë Konventa e KB-ra e ka paraqitur si rrezik serioz 10 vite më parë. Në Konventë thuhet që korrupsioni kanos stabilitetin shoqëror dhe politik, vlerat e demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, si dhe sistemin e drejtësisë dhe ekonomisë në tërësi.
A nuk ju duken këto parashikime të njohura dhe aktuale? Ta rikujtojmë vetëm ekzodin e fundit kosovar një vit më parë dhe ikjen e mijëra qytetarëve tanë drejt Evropës në kërkim të perspektivës dhe dinjitetit social. Ose më mirë, t’i kthehemi mbamendjes sonë të freskët dhe t’a rikujtojmë gjuhën e ashpër në parlament në mes pozitës dhe opozitës nën mjegullën e shkaktuar nga gazi lotsjellës. Skena të tilla do të vazhdojnë të jenë përditshmëri përderisa institucionet politike vazhdojnë të mos gjejnë gjuhë të përbashkët në emër të mbrojtjes së interesit publik.
Besoj mund të pajtohemi se shkaktari kryesor pse jemi ku jemi është korrupsioni thellë i rrënjosur në çdo pore të jetës sonë. Dhe asgjë nuk kemi arritur të përmirësojmë në këtë drejtim. Andaj sot në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ne si shoqëri qëndrojmë kokë-ulur dhe të turpëruar ndaj njëri tjetrit. Dikur për ne integriteti individual dhe interesi publik cilësoheshin si virtyte të suksesit, ndërsa sot ato konsiderohen si recetë për të dështuar.
E ç’kuptim ka ndershmëria dhe integriteti individual në një vend, institucionet e të cilit, nuk kultivojnë as drejtësi as guxim për të luftuar të keqen. Në një vend të tillë, një qytetar i zakonshëm që zgjedh punën dhe djersën zor të mbijetojë.
Pra sot në Kosovë kemi institucione me integritet të ulët. Kemi një qeveri të “përkushtuar t’a luftojë korrupsionin” me strategji e plane veprimi në letër” dhe me mungesë të bashkëpunimit ndër-institucional për të garantuar angazhim më të qëndrueshëm në zvogëlimin e korrupsionit.
Çfarë duhet pritur nga një qeveri e pa-interesuar për të sjellë ndryshime dhe e kritikuar për për keqmenaxhim të vazhdueshëm të fondeve publike?. Sa prej rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm për keqmenaxhim përfillen nga Ministritë? Nëse jo zero, shumë pak.
Roli i dobët i Auditorit e i disa institucioneve të tjera publike përfshirë Avokatin e Popullit dhe Agjencisë kundër Korrupsionit tregon se sa pak vullnet ka për ndryshime. Në luftën kundër korrupsionit, Agjencia Kundër Korrupsion del tejet e paefektshme, pasi që me ligj ajo nuk e ka fuqinë e plotë për të hetuar korrupsionin.
E ato që kanë përgjegjësi për të ndarë drejtësi, prokuroritë e gjykatat, vuajnë nga mungesa e kapaciteteve dhe pavarësisë institucionale. Sot në Kosovë ka pak prokurorë të profilizuar në fushën e anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa qeveria vazhdon të ushtroj ndikimin e saj në prokurori dhe gjykata duke filluar nga aprovimi i buxhetit për të dy Këshillat (prokurorial dhe gjyqësor).
Ndonëse pakoja e re e legjislacionit e aprovuar në qershorin e këtij viti, i ka dhënë fuqi të plotë këtyre Këshillave në hartimin e buxhetit të tyre, ndikimi politik në sistemin e drejtësisë prapë vazhdon të jetë problematik që shfaqet në forma të tjera. Shumica e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor përzgjidhen nga Kuvendi i Kosovës. Kjo pastaj ndikon edhe në përzgjedhjen e gjyqtarëve në gjykatat e Kosovës që bëhet nga vetë Këshilli.
Ndërhyrja politike shpjegon pse mosbesimi publik ndaj sistemit të drejtësisë është në rritje. Sondazhet e opinionit tregojnë se drejtësia nuk po shërbehet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë, duke marrë parasysh mungesën e iniciativës dhe të guximit në arrestimin e politikanëve të nivelit të lartë ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion.
Të gjitha problemet e lartpërmendura rrjedhin si i rezultat i mungesës së integritetit nga të gjitha institucionet. Kjo tregon që mënyra si duhet ti qasemi luftës kundër korrupsionit duhet të jetë multidisiplinare ashtu siç është rekomanduar në Konventën e Kombeve të Bashkuara. Këtu bashkë-punimi institucional është më se i rëndësishëm duke iu referuar institucioneve të rendit dhe ligjit – prokurorisë dhe gjykatave – dhe institucioneve të pavarura përfshirë Auditorin e Përgjithshëm dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Nëse në këtë drejtim ne si shoqëri civile mund të përfshihemi dhe të kontribuojmë, atëherë duhet të jemi më optimist. Guximi qytetar nuk është më pak i rëndësishëm nga ai institucional. Denoncimi i korrupsionit është pikënisja, ndërsa presioni dhe këmbëngulja për drejtësi mund të sjellin rezultate konkrete dhe ndëshkime të prekshme për ata që janë zhytur në korrupsion.. Kështu mund të ndërtojmë besim tek qytetarët dhe mund t’i japim shans shpresës për një jetë dhe një shtet me dinjitet.