Llogaridhënia financiare si parakusht për luftimin e korrupsionit politik

Reagime 21.02.2022

Subjektet politike janë esenciale për funksionim demokratik të një vendi. Ato janë mjet për pjesëmarrje politike të qytetarëve dhe sigurojnë pluralizëm politik. Si të tilla ato krijojnë debat demokratik në shoqëri dhe i ofrojnë qytetarëve mundësi të zgjedhjes në bazë të ideologjive që përfaqësojnë. Duke qenë bartës të proceseve demokratike dhe përfaqësues të popullit, subjektet politike duhet të shërbejnë si shembull i respektimit të vlerave demokratike. Rrjedhimisht, ato duhet të shfaqin standardet më të larta etike dhe të veprojnë në përputhje me parimin e sundimit të ligjit. Kjo nënkupton domosdoshmërisht edhe funksionim të brendshëm demokratik dhe transparent.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e subjekteve politike, kufiri i ndërhyrjes nga shteti në rregullimin e tyre ka qenë vazhdimisht pjesë e debatit akademik e profesional. Qëllimi kryesor i këtij kufiri është ruajtja e funksionimit të pavarur të subjekteve politike pa ndërhyrje nga shteti. Udhëzimet e Komisionit të Venedikut për Rregullim të Partive Politike, që shërbejnë si udhërrëfyes për legjislacionin mbi subjektet politike në vendet demokratike, specifikojnë që “kontrolli i shtetit mbi partitë duhet të jetë minimal, dhe duhet të kufizohet vetëm në ato [masa] që janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike”. Derisa ka dallime ndërmjet akademikëve dhe legjislacionit të shteteve demokratike rreth kufirit të ndërhyrjes së shtetit në funksionimin demokratik të subjekteve politike, për një gjë ka unitet: llogaritë financiare të partive politike, posaçërisht ato që financohen nga buxheti i shtetit, siç është rasti me Kosovën, duhet t’i nënshtrohen procedurave strikte të raportimit dhe audimit. Në përputhje me këtë qëndrim, Udhëzimet e Komisionit të Venedikut, në Parimin 11 (Llogaridhënia) shprehimisht kërkojnë vendosjen e obligimeve speciale mbi partitë politike për raportim dhe transparencë në financa për shkak të statusit të privilegjuar që kanë brenda shteteve përkatëse.

Në rastin e Kosovës, transparenca në financim të subjekteve politike bëhet edhe më e rëndësishme për dy arsye: e para, subjektet politike në Kosovë marrin fonde të konsiderueshme nga buxheti i Republikës së Kosovës; dhe, së dyti, për shkak të tendencës së bizneseve dhe individëve të caktuar në shoqëri të cilët donacionet në subjekte politike i shohin si investim për të përfituar nga tenderët institucional. Fatkeqësisht tash e sa vite në Kosovë, transparenca në financim dhe shpenzime të subjekteve politike ka munguar. Dështimet në raportim dhe auditim të financave të partive politike nuk kanë qenë të rastësishme. Faji për këtë shpesherë i është veshur institucioneve përgjegjëse për kontraktim të auditorëve, ndonëse shkaku kryesor i mosauditimit vazhdon të jetë mungesa e vullnetit politik. Mbi katër (4) milion Euro në vit, para të mbledhura nga tatimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, janë shpenzuar pa ju nënshtruar procedurave të auditimit ose duke iu nënshtruar auditimit me vonesa nganjëherë disavjeçare. Pavarësisht statusit ligjor të partive politike, çdo subjekt që pranon mjete nga buxheti i shtetit duhet të arsyetojë çdo cent të marrë nga djersa e qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës.

Derisa partitë politike nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët dhe koncensus për shumë sfida politike në vend, për ironi ato janë unike dhe të përbashkuara rreth rregullimit të financimit të subjekteve politike. Fatkeqësisht, ky unitet në këtë rast po shkon në dëm të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës brenda dhe jashtë kufijve. Ligji aktual në fuqi, që rregullon këtë fushë, është dëshmuar të jetë i mangët dhe në nevojë urgjente për ndryshim. Është konstatuar nevoja për i) rregullim të definicionit të kontributit; ii) rritje të pavarësisë dhe resurseve njerëzore e financiare të Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike; iii) avancim të kërkesave për raportim dhe auditim; dhe iv) aplikim të sanksioneve efektive dhe proporcionale. Të gjitha këto mangësi ishin adresuar në tekstin e projektligjit për të ndryshuar ligjin aktual gjatë vitit 2018 të hartuar me mbështetje ndërkombëtare dhe të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, si dhe të lavdëruar nga Komisioni i Venedikut (përmes Opinionit 922/2018). Mirëpo në dy tentimet e bëra për miratim të projektligji, partitë ishin unike në dëmtimin e tekstit të ri gjatë procedurave të miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Disa prej partive kanë propozuar amendmente tejet të dëmshme gjatë procedurës së miratimit në vitin 2019, ndërsa partitë tjera gjatë procedurës së miratimit në fund të vitit 2020 në tentimin e dytë të ndryshimit të ligjit aktual. E gjithë kjo u bë, pavarësisht nga një zotim i qartë i bërë nga elita politike e Kosovës për reformim të legjislacionit për financim të subjekteve politike dhe bërja prioritet e këtij zotimi brenda Agjendës për Reforma Evropian, të njohur si ERA. Duhet potencuar se komuniteti ndërkombëtar në shumë raste ka potencuar se jotransparenca në financim të subjekteve politike është lidhur e drejtpërsëdrejti me dyshimet e bazuara për korrupsion në nivel të lartë. E luftimi i korrupsionit është i lidhur drejtpërsëdrejti me liberalizim të vizave.

Për më tepër, në shumë raporte monitoruese të organizatave ndërkombëtare dhe vendore është dëshmuar lidhja ndërmjet donatorëve të subjekteve politike dhe shpërblimit të tyre me kontrata përmes tenderëve në nivel qendror e komunal. Kjo është tërësisht në kundërshtim me Udhëzimet e Komisionit të Venedikut sipas të cilave “rregullimi i partive politike është esencial për të garantuar pavarësinë e tyre nga ndikimi negativ i donatorëve privat” dhe të cilat parashohin financimin nga buxheti i shtetit si mjet për të “parandaluar korrupcionin dhe varësinë nga donatorët privat”.

Ndryshimi i Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike ndodhet tashmë në procedurë ligjvënëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pritet shqyrtimi i tij në të dy leximet nga ana e deputetëve. Elita politike e Kosovës ka rastin edhe një herë të dëshmojë përkushtim të qartë real e jo vetëm deklarativ për sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit. As e para e as e dyta nuk bëhen pa ndryshimin e këtij ligji në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut sipas Opinionit 922/2018 për të dëshmuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar seriozitet në luftimin e korrupsionit politik, reformimin e këtij legjislacioni dhe përmbushjen e obligimeve për integrim evropian.