Llogaridhënia që (s) ekziston

31.01.2017

Opinion

 

 

Llogaridhënia që (s) ekziston

 

 

Deputetët nuk duhet bijnë pre e mundësisë teknologjike dhe komunikimin me zgjedhësit të lokalizojnë vetëm në kuadër të rrjeteve sociale, duke pasur parasysh se qasja [I1] në to është mundësi vetëm për një kategori zgjedhësish. Prandaj, opsion i tyre mbetet gjithsesi angazhimi direkt në terren, qoftë nëpërmjet vizitave konkrete, apo zyrave që mund t`i hapin në rajonet prej nga vijnë

 

 

Llogaridhënia dhe transparenca e deputetëve kosovarë në relacion me zgjedhësit vazhdon të jetë në nivel simbolik.

Shtatëmbëdhjetë vjet që pas konstituimit të institucioneve vendimmarrëse të Kosovës, komunikimi me qytetarët i të zgjedhurve të tyre mbetet sfidë.

Këtë çështje e rëndon edhe më sistemi aktual zgjedhor, me të cilin subjektet politike përpilojnë listat zgjedhore kryesisht në aspektin preferencial, porse jo me kriterin e meritokracisë. Në këtë mënyrë lidhja e të zgjedhurve me votuesit me apriori shndërrohet në fragjile. Kjo për faktin e thjeshtë se deputetët, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve e fitojnë këtë status me dëshirën e partisë, por jo të banorëve të lokalitetit prej nga vijnë, shndërrohen në vartës të subjektit që e përfaqësojnë.

Praktikisht lidhja kauzale që duhet funksionojë në relacionin zgjedhës- të zgjedhur, penalizohet me këtë model zgjedhor dhe me këtë praktikë të subjekteve politike. Rrjedhimisht, komunikimi që duhej vendosur në terren ngecë, duke i shndërruar deputetët në fanatikë partiakë, të cilëve për votuesit u bije ndërmend tek kur hyhet në vitin zgjedhor pasues.

Kjo praktikë e etabluar tashmë në praktikën parlamentare kosovare e ka bërë pothuajse të pavërejtshëm rolin e deputeti në mesin prej nga vije.

Diskutimet të cilat i bëjnë ata në Kuvendin e Kosovës, të shumtën e herës nuk i përfaqësojnë problemet e bazës zgjedhore të tyre. Kjo, jo gjithnjë me fajin e tyre, porse të sistemit uniformit që manifestojnë partitë kosovare, ku qëndrimi ndryshe brenda të njëjtit subjekt ende trajtohet në nivel absurdi. Praktika ka dëshmuar se çështjet që lidhen direkt me interesin e votuesve prej nga vijnë deputetët në Kuvendin e Kosovës kanë zënë vend tepër pak në agjendën e legjislativit  kosovar. Për këtë shkak, zakonisht votuesit mbajnë qëndrim kritik ndaj përfaqësuesve të tyre në Kuvend, gjithnjë me akuzën se nuk flasin për probleme të natyrave lokale, por diskursi i tyre dominohet kryesisht nga çështje të karakterit politik e të cilat në njëfarë mënyre janë relativisht të paakceptueshme për ta.

Zhvillimi i hovshëm teknologjik, ka krijuar një mundësi të mirë që të zgjedhurit ta kenë një adresë[I2] . Pjesa dërmuese e deputetëve kanë krijuar profile publike në rrjetet sociale, të ciklat i shfrytëzojnë edhe për komunikim me zgjedhësit.

Sado që kjo nuk është e mjaftueshme, përbën një mundësi të mirë që zgjedhësit që paku kontaktin elementar ta vendosin në këtë mënyrë.

Në mos tjetër, profilet e deputetëve në rrjete sociale i japin mundësi zgjedhësve që ta përcjellin në kohë reale aktivitetin e të votuarve apo të preferuarve të tyre.

Sido që të jetë, deputetët nuk duhet bijnë pre e mundësisë teknologjike dhe komunikimin me zgjedhësit të lokalizojnë vetëm në kuadër të rrjeteve sociale, duke pasur parasysh se qasja në to është mundësi vetëm për një kategori zgjedhësish. Prandaj, opsion i tyre mbetet gjithsesi angazhimi  direkt në terren, qoftë nëpërmjet vizitave konkrete, apo zyrave që mund t`i hapin në komunat prej nga vijnë.

Zgjedhësit, nga ana tjetër ende nuk kanë arritur ta funksionalizojnë lidhjen me të zgjedhurit e tyre, ngase në parim secili nga ta, përfaqësuesve të tyre në Kuvend i është drejtuar me kërkesa të natyrave individuale. Ndaj, rrjedhimisht disa deputetë e kanë konfirmuar se nga këto kontakte, kërkesat më të zakonshme kanë qenë ato që lidhen me punësimin. Pra, një keqlexim i rolit të deputetit nga ana e zgjedhësve, prej të cilëve deputetët pohojnë se ende nuk marrin asnjë kërkesë grupore.

Të rinjtë e Mitrovicës, krahas preokupimit parësor në lidhje me kushtet e tyre të studimeve, mundësitë e praktikës profesionale apo punësimin, fokusin e mbajnë edhe te çështjet politike që e rëndojnë komunën e trazuar. Madje, angazhimin në politik, disa nga debatuesit e kanë cilësuar të kotë me arsyetimin se shoqëria kosovare ka rrëshqitur në klientelizëm dhe ku askush nuk mund të realizojë të drejtën për punësim, po nuk pati ndonjë lidhje me pushtetin. Së dyti, mbyllja e pjesës më të madhe të subjekteve politike për kuadrot e reja, ka ndikuar në demotivimin e tyre për t`u bërë pjesë e subjekteve politike.

Sido që të jetë, vërshimi i skenës mediale kosovare me portale të shumta ka krijuar mundësinë që informacionet për punën e deputetëve të përfaqësohen edhe në detaje. [I3] 

Shpesh në to është folur edhe për mënyrën se si ka votuar një deputet për një çështje specifike.

Kjo ka ndihmuar që zgjedhësit ta kryejnë njëfarë skanimi të të zgjedhurve të tyre në funksion edhe të veprimit të mëpasëm që lidhet me mundësinë për një mandat të radhës.

Por, shumësia e portaleve ka ditur të prodhojë nganjëherë edhe efekte negative. Ditë më parë, një portal plasoi lajmin se deputetëve të Kuvendit të Kosovës me Projektligjin e ri do t`u rritet shuma e mëditjeve. Megjithatë, vetë deputetët kanë sqaruar se me këtë Projektligji, i cili ende nuk është dërguar për miratim në Kuvend, mëditjet e deputetëve do të përgjysmohen.

Pavarësisht kësaj, ka pasur raste simbolike kur qytetarët janë grumbulluara përreth kauzave, të konsideruara të drejta dhe të cilat i kanë proceduar në organin legjislativ.

Kjo ka ndodhur me peticionin e nënshkruar nga mbi 10 mijë qytetarë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, i dorëzuar në Kuvendin e Kosovës. Njësoj ka ndodhur edhe me një peticion qytetarësh, me të cilin është kërkuar nga Kuvendi, hetim ndërkombëtar për rastin “Dehari”. Kurse rasti i tretë ka të bëjë me bashkimin e gazetarëve kosovarë kundrejt dy neneve kontestuese në Kodin Penal, të cilat ata pretendonin se e cenojnë lirinë e medias.

Prandaj, në këtë kontekst, fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies së deputetëve në relacion me qytetarët do ta rrisë efektivitetin e vendimeve që merren në dobi të tyre dhe gjithashtu do t`i mbajë të parët përgjegjës për çfarëdo veprimi që bëjnë gjatë kohës së mbajnë pozitën e përfaqësuesit të popullit.

Kjo do të mund të arrihet kur deputetët do të ndjejnë përgjegjësi për votuesit e tyre, duke u rikthyer kohë pas kohe deputetët në zonat prej nga vijnë, por edhe duke mbajtur komunikim aktiv me ta, në të gjitha format.

  (Kolumne e shkoqitur nga debati me deputetë të Kuvendit të Kosovës me studentë të universitetit publik “Isa Boletini”, në Mitrovicë)