Prishtinë, 21 dhjetor 2010 ? Organizatat joqeveritare të poshtëshënuara, mirëpresin Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 18.12.2010, për pezullimin e përkohshëm të beneficioneve të përfaqësuesve të popullit, që iu garantoheshin me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve të miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 04.06.2010. Këto organizata kërkojnë që ky Vendim sa më shpejt të bëhet i plotfuqishëm, dhe Ligji të kthehet për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Organizatat inicuese, po ashtu çmojnë lartë punën e Avokatit të Popullit në mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës. Qasja e tillë e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese, forcon integritetin e këtyre institucioneve dhe e rrit besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një shteti ligjor, ku interesat e qytetarëve të Kosovës do të jenë parësore.
Ne, mbështesim iniciativën për të rregulluar me ligj statusin dhe të drejtat e deputetëve si zyrtarë publik të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, por konsiderojmë se nenet kontestuese të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, me theks të veçantë mosha dhe mënyra e pensionimit suplementar dëmton interesat e taksapaguesve kosovarë.
Gjykata Kushtetuese e mori në trajtim këtë çështje pas kërkesës sonë drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit me 19 korrik 2010, për ta referuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin në fjalë, kjo ngase ne ishim dhe mbesim të bindur se ky Ligj është kundër-kushtetues dhe diskriminues për kategoritë tjera të të punësuarve në Kosovë.
Me respekt,
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR)
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)
Iniciativa për Progres (INPO)
Lëvizja Fol
Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ)
Ndërtimi i Komunitetit Mitrovicë (CBM)
Qendra për Politika dhe Avokim (QPA)
Syri i Vizionit