Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë të grupeve parlamentare,
Ne, organizatat jo-qeveritare të poshtëshënuara, shprehim keqardhjen tonë për dështimin e shqyrtimit dhe miratimit në parim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, gjatë seancës plenare të mbajtur të martën, më 22 shkurt 2022.
Cilësia dhe ushtrimi i demokracisë është i pandashëm nga roli dhe funksionet që luajnë partitë politike. Në këtë mjedis, rëndësia mbi rregullat dhe parimet për mundësi dhe burime të barabarta finaciare, shpërndarje dhe shpenzime transparente janë thelbësore për vlerat dhe përkushtimin e partive dhe institucioneve në angazhimin për një shtet të lirë nga korrupsioni.
Duke ditur rëndësinë që ky projektligj ka në promovimin e transparencës financiare – si parakusht i qeverisjes së mirë – kërkojmë nga ju që i njëjti të shqyrtohet në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit dhe të vendoset si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës. Ndërsa, shefat e grupeve parlamentare duhet të arrijnë dakordim brenda grupeve parlamentare që të ketë pjesëmarrje të të gjithë deputetëve në procesin e votimit.
Ne mirëkuptojmë qëndrimet e ndryshme që mund të kenë subjektet politike lidhur me projektligjin si tërësi apo pjesë të caktuara të tij, megjithatë, kërkojmë që këto qëndrime të shprehen dhe të përkthehen në kontribut gjatë shqyrtimit të projektligjit në mes të dy leximeve.
Zvarritja e mëtutjeshme e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji, i cili është obligim në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA) si dhe është në përputhje me rekomandimet e shoqërisë civile dhe opinionin e Komisionit të Venedikut, është e paarsyeshme dhe dëmton integritetin e subjekteve politike dhe besueshmërinë e publikut ndaj tyre.
Me respekt,
Democrakia Plus (D+)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)
Lëvizja FOL
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU!