Raporti i ri “Barometri Global i Korrupsionit (GCB)” i Transparency International, rrjet në të cilin bën pjesë edhe Instituti Demokratik i Kosovës, konstaton se dy të tretat e personave në Kosovë e renditin korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në vend.
Ky raport i cili është zhvilluar në 42 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore, e rendit Kosovën të tretën në listë sa i përket mendimit qytetar se korrupsioni është njëri prej tri problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi. Në shifra të ngjashme, 67 % e të anketuarve për këtë raport mendojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë punë të mirë në luftimin e korrupsionit.
Të dhënat e ofruara nga Barometri shërbejnë si matjet më të sakta të shkallës së përhapjes së ryshfetit dhe korrupsionit në një shtet. Për këtë arsye të dhënat përdoren nga Banka Botërore dhe nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.
Përfaqësues të KDI-së, nëpërmjet një konference për media kanë prezantuar sot rezultatet e këtij barometri.
“Nga vendet e rajonit, Kosova ka veçanërisht një nivel të ulët të ryshfetit me vetëm 10%, edhe pse ka hapësirë për përmirësim tregon që vendi ynë ka arritur që të kontrollojë mitëmarrjen në sektorin publik shumë më mirë se shtetet tjera. Në Shqipëri (me 34%) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (27%) ky fenomen është shumë më i përhapur”, ka thënë Artan Canhasi nga KDI.
Në aspektin e përfshirjes së krerëve të shtetit në korrupsion, të anketuarit në Kosovë mendojnë se 46% e zyrtarëve qeveritarë dhe deputetëve janë të përfshirë. Ndërsa, besimi më i lartë i mospërfshirjes në korrupsion, u takon udhëheqësve fetar pasuar nga Policia e Kosovës.
“Fakti që 42% e respodentëve janë përgjigjur me ‘pajtohem’ në pyetjen ‘A munden njerëzit e rëndomtë të bëjnë ndryshimin’, tregon shumë për ngritjen e vetëdijes qytetare në rëndësinë e raportimit të korrupsionit. Përveç kësaj, rezultat shpresëdhënës në aktivizim më të lartë qytetar në raportim të korrupsionit, është përgjigja e 50% e të anketuarve të cilët thonë se ndihen të obliguar të raportojnë korrupsionin.”, ka thënë Majlinda Kurti, koordinatore e projektit të KDI-së, i cili ofron ndihmë ligjore për viktimat dhe raportuesit e korrupsionit.
Nga pyetjet e përfshira në këtë hulumtim, qytetarëve ju është kërkuar mendimi se “Përse qytetarët nuk e raportojnë korrupsionin”, arsyeja kryesore e identifikuar nga ta është “frika nga pasojat”. “Për këtë arsye KDI ka Zyrën për këshilla ligjore për viktimat dhe raportuesit e korrupsionit. Përmes këtij shërbimi ne këshillojmë qytetarët se si dhe ku të raportojnë pa pasur pasoja personale”, shtoi Kurti. Kjo mund të bëhet direkt në zyrat e KDI-së, apo në numrin pa pagesë 0800 77 777.
Ndryshe, Barometrit Global i Korrupsionit, në Kosovë është zhvilluar nga dhjetori 2015 deri në mars 2016, me gjithsej 1 mijë e 500 respsodentë. Një matje e tillë në vendin tonë për herë të fundit është bërë në vitin 2013.
Raportin e plotë mund ta gjeni në linkun në vijim:
https://www.kdi-kosova.org/publikime/91-2016-11-16-gcb-europe-and-central-assia.pdf