Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vazhduar me organizimin e tryezave, që kanë për qëllim nxitjen e pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve jo shumicë dhe përfaqësuesve të zgjedhur në nivel lokal. Në tryezën e sotme të zhvilluar në Prizren pjesëmarrës ishin pjesëtarë të komunitetit boshnjak si dhe përfaqësues të legjislativit dhe ekzekutivit në nivel komune.
Ndër kërkesat më prioritare të qytetarëve të këtij komuniteti karshi përfaqësuesve institucional mbetet mungesa e investimit në objektin shkollor të fshatit Drajçiç të pjesës së Zhupës, për çka fëmijët e këtij lokaliteti detyrohen të vijojnë shkollimin në fshatrat përreth.
Nga ana tjetër morën zotim institucional për adresimin e kërkesave dhe shqetësimeve që i preokupojnë ata në përditshmëri.
Memuna Ajdini – anëtarë e kuvendit të komunës së Prizrenit nga subjekti politik VAKAT, ka potencuar nevojën e informimit të përfaqësuesve në kuvendin e komunës për problemet që adresohen nga komuniteti boshnjak duke shprehur e gatshme në shtytjen e çdo iniciative që vjen nga komuniteti boshnjak në drejtim të ekzekutivit komunal.
Nënkryetari i komunës së Prizrenit z. Eshref Memaj duke specifikuar mekanizmat në nivel lokal që adresojnë përfaqësimin e komuniteteve pakicë, potencoi gatishmërinë e komunës së Prizrenit për adresimin e çdo kërkese dhe shqetësimi pa ndonjë diskriminim në baza etnike, duke parë takimin e till si shumë të arsyeshëm në dëgjimin e shqetësimeve dhe kërkesave që do të dalin nga vetë banorët e komunitetit boshnjak që jetojnë në qytetin e Prizrenit me rrethin.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Së bashku mundemi” i cili mbështet nga Ambasada Çeke, që si objektiv kryesor ka mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve në informim dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse në nivel komunal.