KOMUNIKATË PËR MEDIA: Sistemi i Integritetit Kombëtar në Kosovë – Institucionet me sisteme të brishta të integritetit

Konferenca për media 10.01.2024

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konference për media, shpalosi gjetjet kryesore të vlerësimit të Sistemit të Integritetit Kombëtar në Kosovë për vitin 2023. Ky është vlerësimi i tretë që bëhet në Kosovë, pas atyre të vitit 2011 dhe 2015.

Sistemi i Integritetit Kombëtar (SIK) është pjesë e qasjes holistike të Transparency International (TI) në luftimin e korrupsionit, përmes vlerësimit të bazës ligjore dhe performancës të institucioneve në luftimin e korrupsionit, në aspekte si resurset, pavarësia, llogaridhënia, integriteti, ndërveprimi dhe rolet e tyre. SIK-u, pra, vlerëson efikasitetin e përgjithshëm institucional në luftimin e korrupsionit dhe luftimin e dukurive me abuzimin e pushtetit.

Vlerësimi, i cili është rezultat i një hulumtimi gati dyvjeçar tregon se përgjatë tetë viteve të fundit, institucionet në Kosovë përgjithësisht kanë shënuar progres në sistemet e tyre të integritetit, veçanërisht lidhur me transparencën dhe masat e llogaridhënies. Shumë prej përmirësimeve të evidentuara në vlerësim kanë ardhur kryesisht si rezultat i presionit publik, kërkesave ndërkombëtare apo zbatimit të zotimeve të marra në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane apo përafrimit të legjislacionit me acquis të BE-së.

Edhe pse në Kosovë ekziston një perceptim i gjerë që kuadri ligjor është mjaft i konsoliduar, dhe problemet janë vetëm në implementim të tij, në fakt, vlerësimi ka evidentuar mangësi si në legjislacionin që rregullon veprimtarinë e institucioneve – sidomos në raport me garantimin e pavarësisë, resurseve dhe mekanizmave të brendshëm të integritetit; ashtu edhe në kornizën e përgjithshme ligjore kundër-korrupsion. Por, është më se e qartë se të gjitha institucionet kanë probleme me zbatimin e ligjeve dhe përmbushjen e obligimeve dhe rolit të tyre në luftimin e korrupsionit.

KDI ka vlerësuar se niveli i integritetit në të gjitha institucionet është vetëm 67 nga 100 pikët e mundshme – pra, një notë mezi kaluese; e që është e pamjaftueshme për të pasur një luftim efikas të korrupsionit dhe qeverisje me integritet.

Sipas vlerësimit të SIK-ut, tri institucionet apo shtyllat me nivelin më të lartë të integritetit janë Zyra Kombëtare e Auditimit (83.3 nga 100 pikë); Avokati i Popullit (79.5 nga 100 pikë) dhe Policia (75 nga 100 pikë). Ndërsa, shtyllat apo institucionet që rangohen në fund të listës janë Partitë politike (58.3 nga 100 pikë); Ndërmarrjet publike (50 nga 100 pikë); dhe Bizneset (45.8 nga 100 pikë).

Nëse krahasojmë nivelin e integritetit në tre pushtetet kryesore del se institucionet e drejtësisë (Gjykatat dhe Prokuroritë) prijnë me 69.7 pikë, pasuar nga ekzekutivi me 65.9 pikë, ndërsa në fund është legjislativi me vetëm 60.4 pikë.

Problemet kryesore që janë evidentuar në këtë raport ndërlidhen me mostrajtimin adekuat të rasteve të korrupsionit nga institucionet e drejtësisë, ndikimin e ekzekutivit dhe akterëve tjerë në punën e institucioneve tjera – përmes ndarjes së buxhetit, deklarimeve publike apo proceseve të rekrutimit; mungesën apo moszbatimin e mekanizmave të integritetit dhe llogaridhënies, si dhe mungesën e transparencës së plotë mbi mënyrën e financimit dhe shpenzimeve të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Mungesa e resurseve të mjaftueshme, sidomos financiare, njerëzore dhe infrastrukturore, po ashtu ndikon negativisht në rolin dhe performancën e institucioneve në luftimin e korrupsionit.

Marrë parasysh rezultatet e këtij vlerësimi, KDI vlerëson që reformat janë të domosdoshme për të adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse sfidat e identifikuara, si në aspekt të resurseve, nivelit të transparencës, llogaridhënies apo mekanizmave të integritetit.

Lidhur me pjesën e resurseve, fokusi i menjëhershëm duhet të jetë në adresimin e mangësive në resurset financiare, njerëzore dhe infrastrukturore nëpër institucione. Alokimi i burimeve adekuate është esencial për optimizimin e performancës së institucioneve në luftimin e korrupsionit.

Parandalimi i ndërhyrjeve dhe ndikimeve të jashtme, veçanërisht atyre politike, janë kritike për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve. Kjo vlen veçanërisht në raport me institucionet në sistemin e drejtësisë, të cilave duhet t’u garantohet pavarësi, sidomos financiare. Ndërsa, marrë parasysh performancën e këtyre të fundit në luftim të korrupsionit, nevojitet sa më parë fuqizimi i mekanizmave të llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve – duke paraparë ndëshkime edhe për performancë të dobët. Procesi i vettingut, duhet të garantojë nivele më të larta të integritetit të krerëve të sistemit të drejtësisë.

Zbatimi rigoroz i kodeve të mirësjelljes dhe nxjerrja e tyre – në rastin e institucioneve që nuk kanë të tilla – duhet të shihet si prioritet për promovimin e masave të integritetit. Po ashtu duhet rregulluar me ligj çështja e lobimit tek institucionet apo zyrtarët publik që kanë fuqi vendimmarrëse.

Transparenca në proceset vendimmarrëse duhet të rritet, veçanërisht tek Qeveria dhe Kuvendi. Hapja e këtyre proceseve jo vetëm që nxit besimin e publikut, por gjithashtu kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në promovimin e një qeverisjeje më të përgjegjshme.

***

Sistemi i Integritetit Kombëtar (SIK) është pjesë e qasjes holistike të Transparency International (TI) në luftimin e korrupsionit. Vlerësimi i SIK vlerëson bazën ligjore dhe performancën aktuale të institucioneve relevante që janë të përfshira në sistemin e luftimit të korrupsionit, në aspekte si resurset, pavarësia, llogaridhënia, integriteti, ndërveprimi dhe rolet e tyre. SIK zbatohet në raport me 15 institucionet ose shtyllat kryesore në vend, duke përfshirë, legjislativin, ekzekutivin, gjyqësorin, prokurorinë, sektorin publik, policinë, trupat menaxhuese zgjedhore, Avokatin e Popullit, Zyrën Kombëtare të Auditimit, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, partie politike, mediat, shoqërinë civile, bizneset dhe ndërmarrjet publike. Vlerësimi bazohet në gjithsej 171 indikatorë matës.

Ky vlerësim zhvillohet nga degët e Transparency International, paralelisht në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi. Në rastin e Kosovës, ky hulumtim është zhvilluar nga KDI përgjatë dy viteve të fundit, dhe në kuadër të tij janë konsultuar 2 mijë burime dhe janë zhvilluar rreth 40 intervista me akterë të ndryshëm.