Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha vendvotimet në gjithë vendin.
Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2547 vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 60 ose 2.6 % e vendvotimeve.
Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në hapjen me vonesë të këtyre vendvotimeve lidhen me:
a) Vonesën e ardhjes së komisionerëve në vendvotime, që është edhe shkaku më i theksuar i raportuar.
b) Vonesën e materialeve zgjedhore në vendvotime.
Më të shprehurat kanë qenë problemet me vula (6 raste) e shprehur në komunën e Shtërpcës dhe Listë të Votuesve (2 raste).
-Në QV 2006X/03R (Universiteti Ukshin Hoti) në Prizren, vendvotimi ende nuk është hapur pasi që kryesuesi i vendvotimit fillimisht është paraqitur në vendvotim e më pas është larguar. Vendvotimi ka mbetur i mbyllur deri në orën 07:36, kur është raportuar.
Heshtja zgjedhore 24 orë para ditës së zgjedhjeve u mundëson votuesve që të reflektojnë lirshëm mbi preferencat e tyre partiake dhe i kontribuon një ambienti të lirë zgjedhor. Prezenca e materialeve propaganduese të subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve mund të shihet si ndikim në përcaktimin e votës së tyre për subjektin e caktuar.
Vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, edhe pse kjo është e sanksionuar me nenin 85 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP). Posterë të ndryshëm janë vërejtur në afërsi të 63 nga 895 Qendra të Votimit në nivel vendi ose (7 %).
E drejta për pjesëmarrje në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuar fizike.
Është raportuar se 30% e Qendrave të Votimit, në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara.
Prania e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje, pavarësisht garancive ligjore dhe kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile për pjesëmarrje të barabartë.
Pjesëmarrja e grave në cilësinë e komisionereve në nivel vendi është 35%.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit në vend (Lokale), ku kjo përqindje ishte 29 %.
***
Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve. Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 Tetorit, DnV ka akredituar rreth 2700 vëzhgues, ndërsa 100 ekipe mobile, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra staf shtesë janë vënë në mbështetje të këtij kontingjenti.