KOMUNAT E KOSOVËS VAZHDOJNË TË PËRBALLEN ME SFIDA TË NDRYSHME NË PROKURIMIN PUBLIK

Konferenca për media 14.08.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe partnerët implementues YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në kuadër të aktivitetit të USAID për komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse, sot publikuan “Raportin e Monitorimit të Prokurimit”. Ky raport analitik pasqyron analizën e dymbëdhjetë tenderëve të shpallur ndërmjet janarit 2019 – qershor 2019 nga komunat e Prizrenit, Suharekës, Ferizajt, Lipjanit, Podujevës dhe Istogut.

Raporti tregon se përkundër investimeve që janë bërë për avancimin e proceseve të prokurimit publik në Kosovë, komunat vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në këtë aktivitet. Kjo analizë gjeti kontradikta midis dispozitave ligjore të Ligjit për Prokurimin Publik dhe Rregullave dhe Udhëzimeve Operative për Prokurimin Publik që kanë të bëjnë me afatet për parashtrimin e ankesave nga operatorët ekonomik. Gjithashtu, raporti kishte gjetur se mungesa e udhëzimeve të mjaftueshme në legjislacionin aktual po lejon që kompanitë e papërgjegjshme, të dënuara më parë për korrupsion dhe shkelje të kushteve të kontratës, të jenë pjesë e prokurimit publik.

Për më tepër, analiza kishte gjetur se ka ende sfida në planifikimin e prokurimit, në adresimin e kritereve të duhura teknike dhe financiare, të cilat rrezikojnë performance të dobët të kontratës, çmime jonormalisht të ulëta, çmime të larta për shërbimet dhe rreziqet që lidhen me mos përmbushjen e kërkesave që rrjedhin nga të tjera ligje, siç është ligji i punës. Për më tepër, analiza gjithashtu kishte gjetur se në tenderin për shërbime të sigurisë Komuna e Ferizajt kishte pranuar një ofertë prej 224€ për çdo punëtor që do të paguhej 270€ bruto, pa e definuar se çfarë do të mbuloj kjo shumë, ndërsa Komuna e Lipjanit kishte bërë gabime aritmetikore në kalkulimin e stafit të nevojshëm kundrejt orëve të tenderuara, me një dallim të theksuar prej 360 orësh më pak në këto të fundit.

Ndërsa komuna e Podujevës, në tenderin për shtrimin e rrugëve në Shajkofc dhe Batllavë, Sfeqël dhe Ballofc, dhe Livadicë, Lladofc dhe Surkish, ata nuk kishte definuar kapacitetet motoriste të nevojshme për implementimin e kontratës, duke rrezikuar që kontratën të fitonin kompani të cilat nuk kishin kapacitete të mjaftueshme, respektivisht duke rrezikuar kualitetin apo kohëzgjatjen e punëve. Për më shumë, për shkak të një planifikimi jo të mirë, në vitin 2017 Komuna e Ferizajt kishte dhënë një kontratë e cila ishte 30.86% më pak se vlera e vlerësimit, përderisa disa rrugë kishin mbetur ma u përfshirë në kontratë, e për të cilat ishte dashur të bëhej një aneks kontratë, ndërsa tek tenderi për furnizim me zhavorr i Komunës së Prizrenit vlera e buxhetuar për këtë shërbim ishte 250,000.00 EURO, megjithatë në planifikimin e prokurimit, komuna kishte rritur këtë vlerë në 1.5 milion Euro, me të cilën vlerë ishte bërë edhe njoftimi për kontratë kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajve.

Duke krahasuar tenderin e komunës së Prizrenit në krahasim me tenderët e njëjtë të komunave të Prishtinës, Ferizajt dhe Gjlanit, komuna kishte përfshirë kritere në dosje të tenderit të cilat nuk përputheshin me ato të komunave të paracekura, duke favorizuar vetëm kompani të mëdha. Studimi gjithashtu zbuloi mungesë të tregut adekuat, ku për kontratën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve në Komunën e Suharekës, që prej një dekade e implementon një operaor ekonomik i vetëm, dhe nga bisedimet me operatorët e tjerë ekonomikë që kishin shkarkuar dosjet e tenderit por nuk kishin aplikuar, çmimi i këtyre shërbimeve është tejet i ulët për të investuar në makinerinë e nevojshme për implementimin e kontratës, andaj nuk paraqet interes për të tenderuar.

Koalicioni i organizatave të lartpërmendura për të përmirësuar administrimin e proceseve të prokurimit publik u bëri thirrje institucioneve përkatëse të përqëndrohen në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe mbikëqyrjes, të cilat do të eliminonin pengesat dhe zbraztirat për menaxhimin e dobët të këtij procesi. Rekomandimet kryesore të koalicionit janë:

1. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të rishikoj ndryshimet në legjislacionin sekondar për të evituar konfliktet me Ligjin për Prokurim Publik. Ndërsa, po i njëjti institucion është duke punuar në koncept dokumentin për ndryshim të ligjit, dispozitat lehtësuese duhet të parashihen në ligj, dhe pastaj të barten në RrOUPP.

2. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të sqaroj detyrimet që dalin nga Neni 65 i LPP-së. Duke pasur parasysh hyrjen në zbatim të deklaratës nën betim, KRPP duhet të angazhohet të siguroj një platformë të centralizuar dhe lehtë të qasshme për të gjitha Autoritetet Kontraktuese, ku ata do të mund të verifikonin nëse një kompani nuk përmbush kërkesat e përshtatshmërisë të definuara nga ky Nen i LPP-së. Koalicioni rekomandon që lista e zezë të bartet në pronësi të KRPP-së, me ç’ rast KRPP do të krijojë linjë të vazhdueshme të komunikimit me organet e drejtësisë, respektivisht gjykatat dhe OSHP-në, dhe të dhënat e pranuara nga këto institucione, duke përfshirë edhe afatet e sanksionimit, do të mirëmbaheshin dhe ishin të qasshme për zyrtarët e prokurimit përmes platformës së e-prokurimit.

3. KRPP duhet të angazhohet si në aspektin legjislativ për ta bërë të obligueshëm hulumtimin e tregut para shpalljes së tenderëve, po ashtu edhe në aspektin trajnues, për t’u siguruar që Autoritetet Kontraktive kanë njohuritë e duhura për të arritur ekonomicitetin e tenderëve.

4. KRPP duhet të angazhohet në kategorizimin e specifikave sipas kategorisë së prokurimit. Paramasa për shërbime do të duhej të ishte e njëjtë për nga kërkesa dhe njësitë, në mënyrë që Autoritetet Kontraktuese të mos ballafaqoheshin me lëshime të mundshme të cilat do të mund të rezultonin në shkelje të ligjeve të fushës, apo mbi pagesës të shërbimit. Paramasa për shërbime do të duhej të ndahej në (1) çmimi për shërbimin (2) kosto indirekte si mbështetja administrative, operative, logjistike, përmbushja e detyrimeve nga ligjet përkatëse dhe fitimi. Për të evituar gabimet aritmetike, Paramasa do të duhet të zhvillohej në platformën elektronike e-Prokurimi, apo si tabelë e mbyllur pa të drejtë modifikimi të formulave.

5. KRPP, duhet të angazhohet në monitorim më të thuktë të Njoftimeve të Publikuara, dhe në rastin e identifikimit të kritereve favorizuese (të mbi ngarkuara apo nën vlerësuara) të marrin masa ndëshkuese ndaj Autoriteteve Kontraktuese.

6. Komunat duhet të angazhohen në përmirësimin e nivelit të planifikimit si nga aspekti i kërkesës, po ashtu edhe ai financiar, për të evituar mbi apo nën buxhetimet, dhe nevojat për dhënien e aneks kontratave.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

Kjo analizë është zhvilluar nga KDI, ISDY, YAHR, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni përmes grantit nga aktiviteti i USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM).

#KerkoLlogari #MeLetraQele