Komunat e burrave

12.02.2014

Është zhgënjyese dhe dëshpëruese kur shohim konstituimin e institucioneve lokale të dominuara nga mendësia patriarkale dhe steorotipet gjinore.

Ky fillim vit nisi në shenjë të burrave. Takimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, një Lidhje e re e Prizrenit e burrave. 
Kryesues të Kuvendeve komunale dhe nënkryetar, gjithashtu burra. Drejtorët në qeveritë lokale, burra. Ndaj logjikisht shtrohen disa dilema dhe pyetje:
Nëse zgjodhëm e rizgjodhëm burra në komunat kosovare? Cilat janë kriteret dhe si po e trajtojmë pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje- numër, votë, dekor apo personazh për foto sesione, e brishtë apo vlerë, potencial dhe mundësi për pjesëmarrje të barabartaë në vendimmarrje? Cilat vlera përfaqson politika dhe shoqëria kosovare?
Nga 36 komuna, të cilat disa muaj pas zgjedhjeve kanë krijuar strukturat drejtuese për funksionalitetin dhe veprimin e qeverisjes lokale janë emëruar e përzgjedhur njerëz, varësisht nga pazaret apo marrëveshjet politike. Për më tepër, ka njerëz që janë instaluar në pushtetin lokal edhe nga marrëveshjet individuale, ndaras nga subjektet politike.
U zgjodhën dhe u votuan jo më pak se tridhjetë e gjashtë kryesues të kuvendeve komunale, më shumë se tridhjetë e gjashtë nënkryetar të Komunave, mbi treqind drejtorë të kuvendeve komunal dhe mbi katërqind anëtarë të komiteteve Komunale. 
Nominimi dhe zgjedhja e grave në këto pozicione politikëbërëse, vendimmarrëse e menaxheriale është pothuajse i pavërejtshëme i pallogaritshëm me një përfaqësim simbolik prej katër apo pesë për qind. Po të mos ishte numri i madh i drejtorive, përqindja e grave në pozitat për kryesues së Kuvendeve, nënkryetarëve të komunave dhe anëtarëve të komiteteve s`do të arrinte as në një për qind.
Një shoqëri e emancipuar politikisht, kërkon dhe aplikon veprime dhe norma konkrete drejtë një politike përfaqësuese llogaridhënse dhe gjithëpërfshirëse në vendimmarrje. Në Zgjedhjet Lokale 2013, qytetarët kanë dëshmuar se dinë të sjellin ndryshime me votën e tyre, duke u besuar të zgjedhurve, se do t`i adresojnë brengat dhe të priturat. Ndër pritjet ka qenë edhe veprimi i një lidershipi, i cili tejkalon kuotat dhe është i përkushtuar drejtë fuqizimit të gruas në vendimarrje. Që jep kontributin e tij për një shoqëri demokratike, jo diskriminuese dhe me mundësi të barabarta. Një shoqëri ku të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme. Norma dhe vlera, të sanksionuara, me Kushtetutën e Kosovës dhe të përcjella me akte ligjore, përmes të cilave përcaktohen obligimet dhe korniza e veprimit për udhëheqësit e institucioneve.
Është zhgënjyese dhe dëshpëruese kur shohim konstituimin e institucioneve lokale të dominuara nga mendësia patriarkale dhe steorotipet gjinore. Ndaj, kësisoj po futemi në një tranzicion të pafund. Vendimarrja dhe udhëheqja asocohet me pritshmëritë tradicionale që ia atribuon një politikani mashkull privilegjin e të udhëhequrit. Madje shpesh herë me arsyetimet prej më banalave, duke u bazuar në muskuj dhe në teknikën e ringut, por jo të menaxhimit.
Dikur vlerat ishin tjera, ose ndryshe të perceptuara. Nëse dje ishte vlerë zotërimi, sot në kohën e integrimeve është partneriteti. Nëse dje ishte konkurrenca, sot është bashkëpunimi. Sot gruaja është NE,sikundër që NE jemi gruaja. Njerëz me të drejta të barabarta, por asesi zotërues të saj. Për më tepër, nuk jemi në një konkurrencë ndërgjinore. Politika dhe shoqëria jonë duhet të demonstrojë përpjekje dhe përkushtim për t`u pajtuar me ndryshimin e vlerave, pa u ndier e frikësuar, kërcënuar, por edhe pa pasuur nevojë për justifikim.
Për vendimarrësit burra dhe gratë e pakta në këto pozita, më me rëndësi është një temë ditore se sa ushtrimi i të drejtave të njeriut, ndryshimi i politikave të bazuara në mentalitetin patriarkal, dhe përkrahja e gruas në vendimmarrje .
Në vitin 1848, në Seneca Falls në shtetin e Nju Jorkut, Elizabet Kadi Stenton dhe Lukrecia Mot thirrën një mbledhje, në të cilën për herë të parë u vendos në rendin e ditës diskriminimi i gruas, ndërkohë që të drejtat u përfshinë në ”Declaration of Sentiment”. Kjo deklaratë parimore është kundër dominimit të burrave në të gjitha sferat jetësore. 
Me përfshirjen e gruas në vendimmarje, ajo ndihmohet të jetë e pavarur dhe e gatshme për veprim politik ekonomik dhe shoqëror. 
Aktualisht ky është trend global, jo vetëm për gruan, por për secilin, si parakusht i të qenit i pavarur. 
Kosova me një ekonomi pothuajse inekzistente, me diskriminim gjinor të theksuar si dhe kulturë e trajtim seksist, gati sa e bën të pamundur misionin e të qenit të gruas e pavarur. Ajo është ndërmjet dilemave për t`u përfshirë aktivisht në zhvillimet shoqërore, për t`u bërë nënë, apo përfshirë në iniciativa biznesi. Ajo, gjithsesi duhet të zvgjedhë të dytën, duke e shndërruar veten në një person jo atraktiv për kulturen dhe kushtet diskriminuese në tregun e punës.
Prandaj, gratë kosovare duhet të angazhohen për realizimin e të drejtave themelore, si: e drejta e administrimit të pronës dhe të ardhurave, kujdestarisë së fëmijëve në rast divorci, siguri më të madhe ligjore dhe ekonomike të kësaj kategorie, mundësi më të mira për arsimim dhe punësim, si dhe të drejtën e votës së lirë, e garantuar edhe me “Declaration of Sentiment”. 
Pa tejkealimin e mentalitetit patriarkal, paragjykimeve dhe barrierave gjinore nuk mund të ndërtojmë një shtet të së drejtës, ndaj rrjedhimisht s`mund të kemi as mirëqenie dhe demokraci funksionale.

Autori është drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)

Opinion i botuar në Koha Ditore më 12 Shkurt 2014