Prishtinë, 30 Shtator 2021. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në partneritet me organizatat e shoqërisë civile ka publikuar Transparometrin Komunal, ku pasqyrohen te gjeturat për nivelin e transparencës së 38 komunave të Kosovës për periudhën janar – qershor 2021.
Sipas të gjeturave të raportit, pesë top komunat që kanë përmbushur indikatorët vlerësues të transparencës janë: Komuna e Rahovecit (83 pikë apo 94.32%), Komuna e Lipjanit, Mitrovicës Jugore dhe Pejës (secila nga 81 pikë apo 92.05%) dhe Komuna e Drenasit (78 pikë apo 88.64%). Në anën tjetër, komunat me shkallën më të ulët të përmbushjes së indikatorëve janë: Komuna e Zubin Potok (32 pikë apo 36.36%), Komuna e Ranillugut (36 pikë apo 40.91%), Komuna e Novo Bërdës (37 pikë apo 42.05%0, Komuna e Leposaviqit (40 pikë apo 45.45%) dhe Komuna e Zveçanit me (41 pikë apo 46.59%)
Numri maksimal i pikëve për 48 indikatorë vlerësues është 88.
Sipas KDI, matjet sistematike të nivelit të transparencës, përfshirë këto të fundit, dëshmojnë që Komunat e Kosovës, përgjithësisht, nga viti në vit kanë demonstruar angazhim praktik në adresimin e mangësive dhe në përmirësimin e performancës në transparencë. Përjashtimisht, kjo qasje ka munguar tek komunat që qeverisen nga komunitetet joshumicë në Kosovë, të cilat për më tepër, në gjashtë-mujorin e parë të vitit 2021 kanë dhënë shenja të theksuara të regresit në transparencë.
Krahasuar me vitet paraprake, gjatë kësaj periudhë është vë në pah se komunat i kanë kushtuar rëndësi të shtuar përmbushjes së indikatorëve që vlerësojnë transparencën e punës së kuvendeve të komunës. Këto ndryshime pozitive i atribuohen psh. bërjes publike të materialeve për mbledhjet e kuvendit të komunës, nga 26% (në vitin 2020) në 35% (në gjysmën e parë të vitit 2021) dhe publikimit të video-linçeve të mbledhjeve të kuvendeve të komunave nga 48% (në vitin 2020) në 72% (gjysmën e parë të vitit 2021)
Po ashtu, krahasuar me vitin paraprak, gjatë kësaj periudhë të vlerësimit është vërejtur progres në përfshirjen e kuvendeve të komunave në procesin e organizimit të dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), nga 28 % (2020) në 39% (gjysmën e parë të vitit 2021) Këto lëvizje pozitive tregojnë që kuvendet e komunave kanë arritur të kuptojnë rëndësinë dhe pjesëmarrjen e tyre në proces të planifikimi të KAB, ndonëse ka mbetur edhe shumë rrugë për t’u bërë.
Transparometri i fundit për 2021 mund të shkarkohet në: https://kdi-kosova.org/publikimet/transparometri-komunal-janar-qershor-2021/
Hulumtimi është realizuar nga konsorciumi i OJQ-ve “Aleanca Qytetare për Transparencë” i përbërë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe nëntë (9) organizata lokale partnere: OJQ Mundësia, OJQ Fortesa, Iniciativa Qytetar Skenderaj (IQS), Forumi i Organizatave Jo-qeveritare Kaçanik ( FOJK), Shoqata e Intelektualëve të Pavarur (SHIP), SHL-Kosova, Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Initiative for Social Education – ISEP si dhe OJQ SOFRA.