Në fokus të “Transparometrit Komunal” të prezantuar nga Instituti Demokratik i Kosovës për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2015 janë gjithsej 11 komuna të Kosovës. Komunat si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Suhareka, Deçani, Graçanica, Rahoveci, Malisheva, Dragashi dhe Mamusha u vlerësuan objektivisht në bazë të indikatorëve që vlerësojnë transparencën e komunave në katër shtyllat themelore të qeverisjes lokale si: Zyra e Kryetarit/es, Kuvendi i Komunës, Financat e Komunës dhe Transparenca e Komunës në Konsultime me Publikun
Vlerësimi vë në pah vlera krahasuese për 6 nga 11 komunat e përfshira në hulumtim. Komunat si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Deçani dhe Graçanica ishin vlerësuar edhe për periudhën paraprake prill-shtator 2014. Rezultatet tregojnë që disa komuna kanë avancuar, por disa edhe kanë pësuar regres në transparencë. Sipas Qendresa Hamzajt, Komuna e Prishtinës ka shënuar rritje sa i përket nivelit të transparencës, prej 55.7% sa ishte vitin e kaluar në 70.8 % në gjashtëmujorin e këtij viti. Ndërsa Komuna e Gjakovës, e cila në Transparometrin e kaluar kishte pikë maksimale dhe ishte vlerësuar si komuna më transparente (76.4%), për këtë periudhë indeksi tregon për rënie të nivelit të transparencës (64.5 %). Më mirë nuk qëndron as Komuna e Prizrenit, e cila nuk ka shënuar ndonjë përmirësim dhe nuk ka reflektuar nga rekomandimet që KDI i ka adresuar vitin e kaluar.
Në Komunën e Prizrenit, performancë më të mirë del të ketë Zyra e Kryetarit (me gjithsej 20 nga 35 pikët e mundshme), e pasuar nga Komuna e Suharekës me 15.7 pikë, ajo e Rahovecit me 14.3 pikë, e Malishevës me 14.0 pikë, Komuna e Dragashit me 6.7 pikë dhe Komuna e Mamushës me vetëm 4 pikë. Naim Cahanaj nga KDI ka shpalosur detaje të indeksit të transparencës për gjashtë komunat e regjionit të Prizrenit. Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka treguar rezultatet më pozitive sa i përket transparencës së këtij institucioni (21.7 nga 35 pikët e mundshme), pasuar nga Komuna e Malishevës me 19.3 pikë, Komuna e Prizrenit me 19 pikë, Komuna e Suharekës me 18.0 pikë, Komuna e Dragashit me 13.7 dhe Kuvendi Komunal me nivelin më të ulët të transparencës është ai i Mamushës me 13 pikë.
Transparenca Financiare është një kategori tjetër në bazë të të cilave janë renditur komunat. Rahoveci prinë në regjionin e Prizrenit për nga transparenca financiare (me 17 nga 35 pikët e mundshme), përcjellë nga Malisheva me 9.3 pikë, Komuna e Mamushës me 6 pikë, Komuna e Prizrenit dhe Suharekës me nga 5 pikë, dhe Komuna e Dragashit me 3 pikë.
Komunat kanë treguar performancë të ndryshme lidhur me transparencën në Konsultimet me Publikun. Malisheva prin me 16.3 pikë nga 35 pikë të mundshme, pasuar nga Komuna e Prizrenit me 11 pikë, Komuna e Suharekës me 9 pikë, Komuna e Mamushës me 4.7 pikë, Komuna e Dragashit me 4.3 pikë dhe Komuna e Rahovecit me vetëm 4. pikë .
KDI thërret komunat që të angazhohen për të një transparencë të qëndrueshme dhe për një qeverisje të hapur që do t’i mbante qytetarët e saj më afër dhe më aktiv karshi zhvillimeve në komunat e tyre. Rekomandimet specifike janë:
të :
· Të bëhen publike përmes ueb faqeve të komunave, rrjeteve sociale dhe lokacioneve publike planet dhe projektet kapitale të komunave me qëllim të informimit të qytetarëve para së të kontraktohet projekti.
· Të bëhen të qasshme në ueb faqet e komunave dokumentet me rëndësi të veçantë për interesin publik si: raportet tre mujore të shpenzimeve, buxhetet e komunave, Kornizat Afatmesme të Buxhetit (KAB), listat e projekteve kapitale, listat e aseteve komunale dhe objekteve nën pronësi komunale.
· MAPL, si mbikëqyrëse dhe përkrahëse e nivelit lokal duhet të luajë një rol më aktiv dhe më kërkues si dhe të obligojë komunat të publikojnë raportet e shpenzimeve, listën e projekteve kapitale dhe buxhetet komunale pasi që janë dokumente me rëndësi të madhe për njoftimin e qytetarëve për punën e institucioneve të tyre lokale.
· Komunat duhet të kenë një linjë telefonike direkte pa pagesë për brengat e qytetarëve dhe të mbajnë takime të rregullta me shoqërinë civile.
· Komunat duhet të bëjnë publike në ueb faqet e tyre borxhin publik komunal, raportin e auditorit, planet e prokurimit si dhe njoftimet për kontratat dhe dhënie të kontratave.
Vlerësimi i përgjithshëm që përmbledh performcën e komunave bazuar në 44 indikatorët në të cilët mbështetet ky indeks, nxjerr edhe komunën më transparente (nga 11 komunat pjesëmarrëse) që është ajo e Prishtinës me 70.8%. Komunat që pasojnë janë ajo e Gjilanit me 66.7%, Gjakovës 64.5%, Deçanit 51.2%, Malishevës 42.1%, Rahovecit 40.7%, Prizrenit 39.3%, Graçanicës 35.0%, Suharekës 34.1%,. Me nivel të ulët të transparencës kanë rezultuar ë Dragashi dhe Mamusha me vetëm 19.8%.