Kërkohet rritje e transparencës në komunën e Malishevës

16.10.2015

Me qëllim të ndikimit në përmirësimin e performancës komunale dhe prezantimin e “Transparometrit” për komunën e Malishevas, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezë diskutimi.

Qëllimi i organizimit të këtij takimi kishte  për synim  prezantimin e “Transparometrit”, me qëllim të dhënies së kontributit në drejtim të përmirësimit të indikatorëve relevant në 4 shtyllat e vlerësimit me 44 indikatorë që janë përdorur për matjen e transparencës së kuvendeve të komunave në periudhën Janar-Qershor 2015.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës z.Rexhep Mazreku duke e vlerësuar objektiv vlerësimin e transparencës në periudhën janar-qershor theksoi se “do të bëjmë përpjeke në përmirësimin dhe rritjen e transparencës në indikatorët që kemi dalë negativ në këtë periudhë”.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës z.Aziz Thaçi  theksoi se “ky bashkëbisedim do të jetë kontribues dhe udhërrëfyes për të reflektuar në suksese se sa mangësi rreth transparencës komunale”. Me vlerësimin e KDI-s nuk guxojmë të vetëkënaqemi dhe duhet në vazhdimësi të përmirësohemi si komunë rreth transparencës dhe llogaridhënies karshi qytetarëve.

Ahmet Rramanaj anëtarë i Kuvendit të Komunës nga radhët e opozitës (PDK) ka theksuar nivelin e ultë të transparencës në komunën e Malishevës dhe ky nivel duhet të rritet dhe të përmirësohet. Si kuvend i komunës duhet të kemi një fond të veçante për informim duke vë theksin në mos punën e zyrës për informim dhe mos koordinimin me kuvendin, ekzekutivin e komunës.

Avdi Morina (Nisma) anëtarë i kuvendit të komunës nga radhët e pozitës ka vlerësuar rolin e organizatave të shoqërisë civile në angazhimin e tyre për përmirësimin e qeverisjes lokale në rritjen e transparencës. Sipas tij “mungesa e koordinimit në sektorë të tjerë po reflekton në mungesë të publikimit të raporteve të ndryshme në ueb faqen e komunës”.

Valon Hoti (LVV) anëtarë i kuvendit të komunës ka vlerësuar raportin e “Trasparometrit” si shumë të domosdoshëm në këndvështrimin e vlerësimit të transparencës nga një palë e tretë dhe tejet objektiv. Sipas tij “ raporti në mes ekzekutivit të komunës, kuvendit të komunës dhe zyrës për informim duhet të përmirësohet”. Duhet të kemi edhe informata të qëndrimeve integruese të subjekteve opozitare për vendime të caktuara. Duhet qeverisja lokale të ngritë transparencën edhe më shumë, jo vetëm ndaj qytetarëve por edhe ndaj anëtarëve të kuvendit, ku në shumë raste si asamblistë nuk më është ofruar qasja në dokumente publike për çështje shumë sensitive.

Rrahim Morina (LDK) anëtarë i kuvendit të komunës ka potencuar se “ duhet të punohet më tepër në këtë drejtim duke e konsideruar nivelin e transparencës një mekanizëm që tregon zhvillimin e demokracisë në nivel lokal, transparencë më e madhe mundësi me e vogël për keqpërdorime të parasë publike”.

Ndërkaq, Komuna e Malishevës gjatë periudhës janar-qershor 2015 është vlerësuar me mungesë të theksuar të transparencës komunale duke arritur vetëm 42.1 % të vlerësimit të përgjithshëm në katër shtyllat e vlerësimit: Zyra e Kryetarit, Kuvendi i Komunës, Financat Komunale dhe transparenca në Konsultime me Publikun (secila nga katër shtyllat përmban nga 11 indikator).

 

Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). Pjesëmarrës në këtë takim ishin: Kryesuesi i Kuvendit, Nënkryetari i Komunës,  anëtarë të Kuvendit të Komunës së Malishevës, përfaqësues të ekzekutivit komunal, Organizatat e Shoqërisë Civile dhe mediat.