Zgjedhja e këshillave lokal dhe përfaqësimi i gruas në këto mekanizma, ishte tema e diskutimit me Grupin e Grave Asambleiste të Komunës së Prizrenit, Zyrën për Barazi Gjinore si dhe organizatat e shoqërisë civile.
Ky takim kishte për qëllim mobilizimin e GGA-z, ZBGJ-së dhe shoqërisë civile në krijimin e agjendës për fushatë senzibilizuese dhe nxitëse për gratë e komunës së Prizrenit për të qenë pjesë e procesit të tërësishëm në këto mekanizma.
Naim Cahanaj nga KDI tha ”duke e parë të rëndësishëm përfaqësimin e gruas në këto mekanizma, është më se e nevojshme mobilizimi i Grupit të Grave Asambleiste dhe sektorit jo-qeveritar në nxitjen dhe përfshirjen e grave në procesin zgjedhorë të këshillave lokal si dhe për të qenë pjesë e garës zgjedhore për këto mekanizma”.
Ajshe Shala – kryesuese e GGA-së, tha se “duhet të shkojmë të vizitojmë disa lokalitete më të mëdha me qëllim të nxitjes së tyre në këto mekanizma. Ajo gjithashtu theksoi se ne kuadër të këtij takimi duhet të iniciohet një grup dhe të vazhdohet me takime në disa lokalitete që të nxiten gratë të jenë pjesë e këtyre këshillave”.
Dita Millku anëtare e GGA-së potencoi se “ është më se e domosdoshme me qenë pjesëmarrëse të gjitha gratë kuvendare në monitorim, me qëllim që të ndërpritet zgjedhja politike e anëtarëve të këshillave”. Duhet të bëhet sensibilizim më i madhe tek gratë me qenë pjesë e këshillave dhe të paktën nga një grua të jetë pjesë e çdo këshilli lokal”.
Ganimete Hoxha anëtare e GGA-s tha se “për vetë faktin që një femër nuk është në komision, ato ngurojnë të marrin pjesë në këto tubime, mendimi i femrës mbetët nën hije dhe nuk dëgjohet, duhet shtytje më të madhe prej qendrës, prej kuvendit që gratë të jenë pjesë e këshillave lokal”.
Si konkluzion i përgjithshëm në kuadër të këtij takimi doli të jetë angazhimi i menjëhershëm i Grupit të Grave Asambleiste në teren për të kontaktuar, inkurajuar dhe nxitur gratë të jenë pjesë e zgjedhjeve të Këshillave Lokal si dhe draftimi i një deklarate të GGA-s për Kuvendin e Komunës së Prizrenit dhe Komisionin për Zgjedhjen e Këshillave Lokal për respektimin e rregullores për përfaqësim të gruas në këto mekanizma.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). Pjesëmarrës në këtë takim ishin: Grupi i Grave Asambleiste nga komuna e Prizrenit, Zyra për Barazi Gjinore si dhe Organizatat e Shoqërisë Civile.