KËRKESË PËR OFERTË: Dizajnimi dhe zhvillimi i hulumtimit për matjen e opinionit publik në Kosovë “Reforma zgjedhore dhe votat e pavlefshme”

Njoftime 27.07.2018

KËRKESË PËR OFERTË

 

Dizajnimi dhe zhvillimi i hulumtimit për matjen e opinionit publik në Kosovë

“Reforma zgjedhore dhe votat e pavlefshme”

Data e shpalljes: 27 korrik, 2018

 

A)Përshkrimi

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) fton kompanitë e interesuara të paraqesin ofertat e tyre për zhvillimin e hulumtimit për matjen e opinionit publik në Kosovë, sipas specifikave të paraqitura në këtë kërkesë.

 

Në kuadër të zbatimit të projektit “Çdo votë duhet të vlejë!” është paraparë edhe matja e opinionit publik në mesin e votuesve të regjistruar në Kosovë. Me anë të këtij hulumtimi të opinionit publik, do të evidentohen faktorët dhe arsyet që qojnë në rritjen e numrit të votave të pavlefshme ndër vite, si dhe do të ketë shtresëzim të përgjigjeve, bazuar në veçoritë socio-ekonomike të të anketuarve, në mënyrë që të krijohet një korrelacion i qartë mes faktorëve që qëndrojnë pas numrit të madh të votave të pavlefshme dhe shpërndarjes së tyre në rajone të caktuara. Po ashtu ky hulumtim do të paraqesë edhe opinionin e votuesve rreth nevojës dhe specifikave që duhet të përfshijë reforma zgjedhore në Kosovë.

 

Sondazhi parashihet që të zhvillohet gjatë muajit gusht të vitit 2018, dhe do të përmbajë rreth 30 deri në 40 pyetje. Pyetjet do të përpilohen nga KDI në bashkëpunim me kompaninë kontraktuese, ndërsa anketimi dhe dorëzimi i rezultateve do të bëhet nga kompania e përzgjedhur.

 

B) Metodologjia

 

Ofertuesi duhet të bashkëpunojë ngushtë me KDI përgjatë gjithë fazave të sondazhit. Ofertuesi duhet të përshkruajë procedurat e brendshme përkatëse, në mënyrë që të sigurohet integriteti i të dhënave të sondazheve, dhe të dorëzohen rezultatet e matjeve sipas afateve të kërkuara.

Dizajnimi i hulumtimit:

  1. Dizajnimi i mostrës prej deri në 1,200 të anketuarve të moshave mbi 18 vjeç, në 38 komunat e Kosovës: Mostra duhet të jetë përfaqësuese në nivel nacional për grupin e synuar të popullatës dhe të ofrojë margjinë të gabimit prej ± 2.74, me interval të besueshmërisë prej minimalisht 95%. Mostra duhet të sigurojë që të anketuarit përfaqësojnë popullatën mbi 18 vjeç në bazë të karakteristikave demografike dhe socio-ekonomike si  gjinia, mosha, etnia, vendbanimi, komuna, të hyrat dhe niveli i shkollimit. Mostra duhet të përmbajë ndarjen gjinore në raport rreth 50/50.

Në mënyrë që  të sigurohet që në mostër janë të përfshirë një numër i konsiderueshëm i grupeve të ndryshme etnike, kërkohet që  të krijohen tri nën-mostra: një për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një nën-mostër tjetër për komunitetet tjera jo-shumicë. Për secilin nga këto tri nën-grupe duhet të shpërndahet numër proporcional i intervistave me numrin e banorëve, në mënyrë që rezultatet e anketës nga secili nën-grup të ofrojnë statistika të besueshme.

  1. Dizajnimi i instrumentit të hulumtimit: Ofertuesi duhet të ofrojë të dhëna lidhur me procesin e draftimit të instrumentit që do të përdoret për nxjerrjen e informatave të nevojshme në përputhje me objektivat e hulumtimit.
  2. Testimi fizik i fletëvotimeve: Po ashtu gjatë këtij hulumtimi do të bëhet edhe testimi fizik i fletëvotimeve të kaluara dhe dizajneve të reja.

 

Metodologjia e punës:

  • Zgjedhja dhe trajnimi i anketuesve: Kompania e kontraktuar është përgjegjëse për të angazhuar anketues me eksperiencë në realizim të anketave dhe më pas të trajnojë ata lidhur me qëllimet e hulumtimit, t’i njoftojë ata me përmbajtjen e pyetësorit, mostrën dhe specifikat tjera teknike të terrenit.
  • Administrimi i pyetësorit në terren: Para daljes në terren, pyetësori duhet të pilot-testohet nga kompania e kontraktuar. Anketat në terren duhet të administrohen përmes teknikës CAPI (computer-assisted personal interviews). Ofertuesi duhet të specifikojë softuerin që do të aplikohet për administrimin e anketave me tablet PC-ve.
  • Përzgjedhja e të anketuarve: Metodologjia e përzgjedhjes së shtëpive dhe kandidatëve për anketë brenda shtëpive duhet të sqarohet në detaje në propozimin teknik.
  • Kontrolli i kualitetit: Garantimi i mbledhjes së të dhënave në kohë, në mënyrë të saktë dhe të besueshme duhet të jetë prioritet në zbatimin e këtij hulumtimi. Ofertuesit duhet të sqarojnë procesin e kontrollit të kualitetit të të dhënave që vijnë nga terreni. Kompania e kontraktuar do të jetë përgjegjëse për të mbledhur koordinatat e lokacioneve ku anketat realizohen përmes tablet PC-ve.
  • Përpunimi dhe pastrimi i të dhënave: Ofertuesi duhet të ofrojë shpjegime rreth procesit të përpunimit të të dhënave, pastrimit dhe kodimit të pyetjeve të hapura në databazë.

Analiza:

  • Analiza e të dhënave: Ofertuesi duhet të specifikojë analizën statistikore që do të zbatohet për të adresimin e objektivave të këtij hulumtimi. Ofertuesi duhet të tregojë se si të dhënat do të prezantohen, çfarë teste statistikore do të përdoren dhe si do të realizohet analiza.

*Ofertuesi duhet të organizojë të paktën dy fokus grupe me grupet e synuara të interesit. Oferta për këtë shërbim duhet të jetë e specifikuar. Përzgjedhja e këtij shërbimi nga ana e KDI-së është opsionale.

 

C) Përgjegjësitë e kontraktorit

 

Kontraktori do të jetë i përfshirë në të gjitha fazat e hulumtimit, nga strukturimi i hulumtimit, mostrës, instrumenteve, deri te mbledhja e të dhënave, analiza dhe raportimi i tyre.

Përgjegjësitë e kontraktorit:

  1. Në bashkëpunim me KDI, të përcaktojë pyetjet bazuar në objektivat e hulumtimit;
  2. Të dizajnojë mostrën prej deri në 1,200 të anketuarve (mbi moshën 18 vjeç);
  3. Të pilot-testojë instrumentin e hulumtimit, në mënyrë që ky i fundit të finalizohet;
  4. Të angazhojë dhe trajnojë anketuesit për mbledhje të të dhënave;
  5. Të realizojë mbledhjen e të dhënave përmes teknikës CAPI (computer-assisted personal interviews)
  6. Të realizojë kontrollin e kualitetit të të dhënave të mbledhura nga terreni;
  7. Të bëjë përpunimin e të dhënave, pastrimin dhe kodimin e tyre;
  8. Të realizojë analizën statistikore të të dhënave.
  9. Të bëhet testimi fizik i dy dizajneve të fletëvotimeve për zgjedhjet në Kosovë.

 

  D) Kushtet e kontratës dhe dokumentet e kërkuara

 

Ofertuesit obligohen të paraqesin ofertën e tyre teknike dhe financiare sipas kërkesës së KDI.

Oferta teknike duhet të përbëhet nga tri pjesë:

 

  1. Dizajnimi i hulumtimit
  2. Metodologjia e punës
  3. Analiza dhe raportimi

 

Oferta financiare duhet të përmbajë çmimin për matje të opinionit publik si dhe çmimin për fokus grup. Ofertuesit duhet të ofertojnë me çmime me TVSH (TVSH ndaras).

 

Dokumentet shtesë që duhet të dorëzohen nga ofertuesi përfshijnë:

 

  1. Certifikatën e regjistrimit të biznesit;
  2. Certifikatën e numrit fiskal / TVSH-së;
  3. Referenca mbi kryerjen e punëve të ngjashme të dëshmuara.

 

E) Vlerësimi i ofertave

 

Në mënyrë që të sigurohet vlera më e mirë për paranë, të gjitha ofertat do të vlerësohen në dy faza sipas kritereve të përcaktuara më poshtë:

 

Faza e parë – Vlerësimi Teknik               (60%)                Faza e dytë – Vlerësimi financiar (40%)

 

Metodologjia:                                        30%                              Çmimi më i ulët: 100%

Përvoja përkatëse dhe besueshmëria:    40%

Koha e nevojshme për realizim:              30%

 

Oferta teknike vlerësohet me 60%, ndërsa oferta financiare vlerësohet me 40% të aktivitetit të përgjithshëm të prokurimit. KDI rezervon të drejtën për të negociuar më tej me ndonjë ose të gjithë ofertuesit për çmimin, aspektet teknike ose termat dhe kushtet e kontratës.

 

 

F) Afati i aplikimit

 

Afati i fundit për të dorëzuar ofertat është e data 3 gusht 2018, e premte, deri në ora 16:00. Ofertat mund të dorëzohen në formë elektronike në [email protected] apo të dorëzohen në zarf të mbyllur në zyrat e KDI-së, rr. Bajram Kelmendi, 45, 10000, Prishtinë.

Ofertat e dorëzuara pas afatit të paraparë nuk do të shqyrtohen.

Për informata më të hollësishme ju lutem kontaktoni në adresën elektronike: [email protected] apo +383 (0) 38 248 038.