KDI reagon për ndërtimin e murit në anën veriore të Mitrovicës

07.12.2016

KDI shpreh shqetësimin e saj për devijimin e projektit të dakorduar për revitalizimin e Urës së Mitrovicës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, me ndërtimin e një muri në anën veriore të Mitrovicës.

Ura e Mitrovicës duhet të shërbej për të bashkuar qytetarët të cilët jetojnë në të dy anët e saj, çfarëdo ndarje përfshirë ndërtimi i mureve ndarëse është i papranueshëm. Veprime të tilla po krijojnë konfuzion te qytetarët, po ngjallin ndjenjën e pasigurisë dhe të frikës si dhe po minojnë kredibilitetin e këtij procesi. 

Është kruciale që institucionet e vendit të rrisin transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve rreth marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi dhe përmbajtjes së tyre.

KDI i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, në përputhje me obligimet që ka karshi qytetarëve, që të monitoroj nga afër zbatimin e marrëveshjeve të cilat dalin nga dialogu Kosovë- Serbi, të sqaroj sa më parë gjendjen e krijuar dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që procesi i revitalizimit të urës së Mitrovicës të jetë në shërbim të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mirëqenies së tyre, të bashkëjetesës ndëretnike dhe ofrimit të perspektivës për zhvillim të dy anëve të qytetit.

KDI kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi që të jenë vigjilentë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi duke garantuar që marrëveshjet e arritura dhe zbatimi i tyre të jenë në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.