KDI: Pro hapësirës gjelbëruese dhe kundër betonimit

16.06.2015

Mungesa e hapësirave publike dhe uzurpimi i tyre, janë ndër problemet me të theksuara për banoret e lagjeve të qytetit të Prizrenit. Brenda zonës së banimit të qytetit aktualisht ekziston vetëm një hapësirë gjelbëruese (park) me përmasa më të gjëra që mund të cilësohet si hapësirë që i plotëson nevojat për rekreacion dhe shëtitje të qytetarëve..

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një konference për media ka shpalosur qëndrimet dhe propozimet për pronën komunale e cila ka qenë e shfrytëzuar nga operatori ekonomik “Ben-af”. Ndërrimi i destinimit të kësaj prone komunale prej 85.93 ari në hapësirë gjelbëruese për nevoja rekreative është zgjidhja adekuate për qytetarët e Prizrenit. Naim Cahani nga KDI-s tha se “duke mos dashur të vlerësoje procedurat e zgjatjes së kontratës me operatorin ekonomik meqë për rastin në fjalë është ngritur hetim nga organet kompetente dhe duke parë gjendjen ekzistuese të kësaj prone komunale, duke parë tendencat që kjo pronë komunale të kthehet në ndërtim dhe betonim, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon që prona e tillë komunale t’ju kthehet qytetarëve në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacion”.

Komuna e Prizrenit me datë 28.02.2002 kishte nënshkruar kontratë me “Ben-af” për shfrytëzimin e pronës komunale në ngastrat kadastrale nr.7140/1 dhe nr.7141 me sipërfaqe të përgjithshme prej 85.93 ari në lokacionin-kompleksi “Ortakoll”. Pos kontratës bazë, Kuvendi Komunal i Prizrenit në vitin 2008 dhe 2012 kishte nënshkruar edhe aneks kontratë me operatorin në fjalë për ti mundësuar kësaj të fundit shfrytëzimin e pronës publike deri në 30.06.2016.

 

Jeta dinamike, mungesa e hapësirave rekreative brenda lagjeve të Prizrenit dhe mungesa e parqeve brenda zonave të banimit shton domosdoshmërinë që qasja në planifikimet urbane të ndryshojë. Kjo pasi që Planet Rregulluese të dy lagjeve të cilat tanimë janë kthyer në ndërtesa kolektive dhe të betonuara tej mase, janë pa hapësira  gjelbëruese dhe rekreacioni.