KDI mbajti sot konferencë për media gjatë së cilës shpalosi raportin analitik mbi punën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2023.
Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, tha se puna e Kuvendit të Kosovës këtë vit është karakterizuar me mangësi të shumta duke çuar në performancë të dobët në krahasim me vitin paraprak. Gjatë vitit janë mbajtur gjithsej 78 seanca të cilat për shkak të planifikimit të dobët dhe mungesës së deputetëve prodhuan 27 vazhdime. Përveç këtyre, u mbajtën edhe 13 seanca të jashtëzakonshme dhe 2 seanca solemne.
Sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative të vitit 2023, Thaçi shtoi se përgjatë vitit të plotë të punës parlamentare, Kuvendi ka miratuar 71 projektligje, që prekin fushë të gjerë veprimi, ndërsa vetëm 29 nga këto projektligje janë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2023. Shprehur në përqindje, Kuvendi ka miratuar vetëm 25% të agjendës legjislative të vitit 2023. Ndërsa, 42 projektligje të miratuara janë pjesë e agjendave të viteve 2022 dhe 2021. Në mesin e dokumenteve të miratuara këtë vit janë edhe 16 marrëveshje ndërkombëtare. Miratimi i këtyre të fundit u zvarrit në Kuvend për muaj me rradhë për shkak të mungesës së konsensusit mes pushtetit dhe opozitës.
Në anën tjetër, 45 projektligje, kanë mbetur ende në procedura shqyrtuese brenda Kuvendit, të cilët janë pjesë e agjendës legjislative 2023 dhe agjendave të viteve të kaluara. Mes tyre, në pritje për miratim janë edhe 8 marrëveshje ndërkombëtare. Duhet të theksohet fakti se 55 projektligje apo 48% e Programit Legjislativ të Qeverisë të vitit 2023, nuk është dërguar fare në Kuvend.
Thaçi trajtoi edhe çështjen e mungesave të deputetëve, për të cilat tha se kanë shkaktuar mungesë të kuorumit dhe për pasojë kanë rezultuar me ndëprerje të pothuajse çdo seance në Kuvend. Bojkotimi që deputetët nga radhët e Listes Serbe i kanë bërë punës parlamentare, e kanë rritur numrin e mungesave në përgjithësi, porse mungesa mbi një nivel të tolerueshëm gjenden edhe në grupet e tjera parlamentare. Numerikisht, deputetët munguan 1586 herë, apo shprehur në përqindje në secilën seancë të vitit 2023, munguan 23,5% e deputetëve. Në një listim që përjashton deputetët që vinë nga Lista Serbe, LDK prinë me 23,4% të mungesave, duke u pasuar nga PDK 18,9%, Komunitetet 18,5%, AAK 16,2%, VV 12,4%. Nga 5 deputetët me mungesat më të shumta, 4 vinë nga partitë opozitare, konkretisht Lumir Abdixhiku me 44 mungesa, Behgjet Pacolli me 39, Memli Krasniqi me 35, Ardian Kastrati me 34 dhe Saranda Bojuevci me 24 mungesa. Dy deputetët e fundit kanë munguar për arsye shëndetësore.
Thaçi tutje theksoi se, funksioni mbikëqyrës i Kuvendit është sfiduar seriozisht në disa raste si në atë kur Kryeministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve – duke i kushtëzuar ata me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përmes bllokimit të formimit të komisionit hetimor për rezervat shtetërore – ku deputëtët e pozitës munguan në mbledhje 8 herë rradhazi.
Po ashtu, u theksua mungesa e llogaridhënies së ministrave të caktuar, si ai për Punë të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili për një vit nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të deputetëve. Në formë të ngjashme edhe ministrat Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla, nuk ofruan asnjë përgjigje përgjatë sesionit vjeshtor. Në përgjithësi, gjatë këtij viti Ekzekutvi i’u është përgjigjur 117 pyetjeve parlamentare, nga 299 të tilla, apo shprehur në përqindje vetëm 39% të tyre.
Në anën tjetër, Violeta Haxholli nga KDI, shtoi se megjithëse Kuvendi tanimë ka në fuqi një Rregullore të re të punës, zbatimi dhe interpretimi i papërshtatshëm i saj nga Kryetari Glauk Konjufca ka qenë evident. Në disa raste, ky i fundit nuk shqiptoi sanksionet që parasheh Rregullorja për deputetët që shkelën rregullat e sjelljes në Kuvend, siç janë përfshirja në dhunë fizike apo përdorimi i gjuhës joparlamentare.Rregullorja u keqinterpretua edhe në raste të thirrje së seancave dhe administrimit të tyre.
Haxholli foli edhe mbi trajtimin që Kuvendi i ka bërë çështjes së Reformës në drejtësi, konkretisht projektligjeve që kanë ardhur nga Qeveria lidhur me këtë fushë. Ajo theksoi se 24% e të gjitha ligjeve të miratuara janë të lidhura me reformat në drejtësi. Por si pasojë e mospajtimeve mes pushtetit dhe opozitës disa prej tyre përfunduan në Gjykatën Kushtetuese. i tillë ishte Ligji për Byronë Shtetërore për të cilin është në pritje opinioni nga Gjykata dhe ai për Këshillin Prokurorial i cili ishte shpallur i pavlefshëm. Tutje, ajo theksoi konsensusin e arritur në parim mes pushtetit dhe opozitës lidhur me finalizimin e draft amendamenteve kushtetuese për vetingun në drejtësi, përmes të krijimit të komisioni të përbashkët ad-hoc. Por se, ky konsensus duhet të vazhdojë tutje dhe të zgjerohet edhe tek komunitetet jo shumicë meqë për votimin e këtyre amendamenteve nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve duke përfshirë edhe të komuniteteve.
Tutje Haxholli foli edhe rreth çështjes së transparencës së Kuvendit përgjatë vitit 2023 me theks të veçantë mungesën e pajisjeve elektronike në Kuvend të cilat pamundësuan votimin elektronik të deputeteve. Si rrjedhojë, për tri vite me radhë qytetarët nuk dijnë se si kanë votuar deputetët për ligjet e ndryshme.Po ashtu u kritikua edhe mungesa e publikimit të procesverbaleve dhe transkripteve nga ana e komisioneve, veçanërisht komisioneve ad-hoc dhe atyre hetimore, puna e të cilave mbetet plotësisht e panjohur për publikun. Kuvendi poashtu edhe këtë vit nuk lëvizi në drejtim të rregullimit të çështjes së lobimit, e cila do t’a fuqizonte edhe më tepër transparencën dhe llogaridhënien në procesin ligjbërës.
Sa u përket zhvillimeve në Komisionet Parlamentare u theksua se ato mbajtën gjithsej 358 mbledhje, numër në të cilin përfshihen edhe 17 dëgjime publike. Listes së komisioneve me aktivitet të lartë i’u prinë Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me 39 mbledhje dhe 2 dëgjime; Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me 34 mbledhje dhe 5 dëgjime; Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me 31 mbledhje dhe 4 dëgjime publike dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit me 30 mbledhje.
Përgjatë sesionit, komisionet kanë trajtuar mbi 70 projektligje, derisa kanë prezent dhe në raportime kanë qenë 48 herë anëtarët e kabinetit qeveritar. Po ashtu, duhet të theksohet se një pjesë e aktivitetit të disa komisioneve, konsistoi në vizita në terren dhe takime me zyrtarë institucional dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Sa i përket mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, Haxholli theksoi se vetëm 5 ligje u mbikëqyrën në tërësi gjatë këtij viti nga komisionet parlamentare, një shifër që nuk është e mjaftueshme.
Në fund, KDI ofroi disa rekomandime për Kuvendin dhe deputetët, duke theksuar nevojën për planifikim më të mirë të seancave, interpretim të duhur të Rregullorës, administrim më të mirë të seancave nga ana e Kryetarit, adresimin e gjuhës jo parlamentare, pjesëmarrje të rregulltë të deputetëve në seanca dhe komisione, gjithë përfshirje dhe konsensus të gjerë politik dhe ndëretnik për Reformën në Drejtësi, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit dhe zbatimit të ligjeve si dhe garantim të transparencës së Kuvendit ndaj publikut, duke rregulluar edhe kuadrin ligjor për lobim.
Gjeni raportin e plotë në, https://shorturl.at/emuE3
Ky raport është rezultat i një hulumtimi që është realizuar në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirës qytetare për reformën në drejtësi”, i financuar nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.