Prizren, 7 maj 2010; Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka hartuar raportin mbi punën e kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit për muajin prill.
Kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit, gjatë muajit Prill, kanë mbajtur gjithsej 6 mbledhje. Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga monitorimi i të gjitha mbledhjeve të kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit, është evidentuar se në shumicën e rasteve këto organe edhe më tej vazhdojnë që angazhimin e tyre ta kenë në drejtim të themelimit të organeve komunale siç janë themelimi i komiteteve e të ngjashme edhe pse tashmë kanë kaluar muaj të tërë nga themelimi i tyre. Shumica e kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit edhe më tej vazhdojnë të jenë arenë e ballafaqimeve shterpe politike dhe e promovimit personal politik pa asnjë interes për qytetarët e komunave përkatëse.
Ndër gjashtë kuvendet e komunave të këtij regjioni, më problematike paraqitet Kuvendi i Komunës së Prizrenit e cila edhe më tej vazhdon të jetë jofunksionale duke mos arritur të përmbushë edhe më tej obligimet e saj ligjore duke përfshirë themelimin e komiteteve, zgjedhjen e Nënkryetarit të komunës nga radhët e komuniteteve, Zëvendës Kryesuesit nga radhët e komuniteteve, shqyrtimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rreth ndërtimit në Lagjen Dardania dhe rreth emblemës së Komunës së Prizrenit dhe shumë çështje tjera me rëndësi të madhe për qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Në situatë më të mirë nuk janë as Kuvendi i Komunës së Rahovecit dhe ajo e Mamushës. Në të parin, po ashtu, është duke ardhur në shprehje mungesa e kontinuitetit në punën e organit më të lartë të qeverisjes lokale, ndërkaq në Kuvendin e Komunës së Mamushës gjatë muajit të kaluar shqetësues është paraqitur cenimi i interesave të komuniteteve me rastin e themelimit të Komitetit për Komunitete në këtë komunë.
?Duke marrë për bazë të gjitha këto të dhëna KDI konsideron se është koha e fundit që kuvendet e komunave të Regjionit të Prizrenit të kuptojnë se detyrë e tyre është përfaqësimi i interesave të qytetarëve, hartimi i rregulloreve dhe politikave me qëllim të lehtësimit të jetës së qytetarëve të komunave përkatëse dhe shumë çështje tjera të ngjashme, andaj edhe angazhimi i tyre duhet të jetë në këtë drejtim? shprehet Naim Cahani, koordinator në KDI.
Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit ?Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë? të mbështetur nga Olof Palme Center (OPIC).
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është OJQ vendore e cila ka për mision të ofrojë mbështetje në zhvillimin e demokracisë përmes fuqizimit dhe ndikimit të sektorit joqeveritar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve qeveritare.