KDI kërkon masa disiplinore ndaj deputetëve që përdorin gjuhë dhe sjellje joparlamentare

Reagime 29.07.2020

Degradimi i gjuhës dhe sjelljes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë mbledhjeve plenare apo atyre të komisioneve parlamentare, e ka shndërruar Kuvendin në arenë të fyerjeve, etiketimeve dhe përplasjeve fizike, duke e zhvendosur këtë institucion nga përgjegjësitë dhe funksionet që duhet t’i përmbushë.

KDI vlerëson që mbledhja e sotme e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku ishte duke raportuar kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, është zhvilluar në frymë të acaruar, sidomos mes deputetëve të koalicionit qeverisës dhe atyre të opozitës, që ka çuar në ndërprerjen e takimit. Ndërsa, pas takimit, ka pasur deklarime nga anëtarët e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje se janë sulmuar fizikisht nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

KDI kërkon që institucionet kompetente të hetojnë rastin dhe të ofrojnë sqarimet e nevojshme mbi versionin zyrtar të kësaj ngjarje. KDI po ashtu dënon çfarëdo veprimi apo sjellje të dhunshme të deputetëve, si formë e zgjidhjes së mospajtimeve politike mes tyre.

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, ku Kuvendi i Kosovës është kthyer në arenë të përplasjeve, fyerjeve, përdorimit të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare, KDI kërkon që sa më shpejtë të fillojë ndryshimi i Rregullores së Kuvendit, ku duhet të përfshihen sanksione më të ashpra disiplinore ndaj deputetëve që pengojnë mbarëvajtjen e punës së Kuvendit dhe trupave të tij, si dhe atyre që përdorin gjuhë apo sjellje joparlamentare.