Duke konsideruar që dialogu Kosovë-Serbi është proces i cili është konsideruar si i pa alternativë, proces për të cilin të gjitha partitë politike kanë shprehur mbështetjen e tyre, ndërtimi i konsensusit të gjerë politik është imperativ për të përmbyllur procesin e dialogut dhe për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse ndërkombëtare e cila respekton shtetin e Kosovës dhe sovranitetin e saj.
KDI e vlerëson si pozitive nismën e ndërmarrë nga Partia Socialdemokrate (PSD), për bashkërendimin e partive parlamentare nga pozita dhe opozita rreth ndërtimit të një qëndrimi unik shtetëror të Kosovës mbi fazën finale të procesit të dialogut.
KDI vlerëson se draft rezoluta dhe projektligji i paraparë me këtë draft rezolutë janë dokumente të cilat mund të shërbejnë për përfshirjen e të gjithë spektrit politik dhe ndërtimin e konsensusit politik rreth dialogut me Serbinë, si një domosdoshmëri për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës.
KDI inkurajon partitë parlamentare në pozitë dhe opozitë të përfshihen në diskutime konstruktive për avancimin e këtyre dokumenteve duke ofruar qëndrimet e tyre. Partitë parlamentare duhet të bëjnë përpjekje serioze për nxjerrjen e një rezolute dhe ligji të dakorduar nga i gjithë spektri politik, duke respektuar kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për unitet të gjerë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.