Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me krerët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Ministrisë së Shëndetësisë (Msh), Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në procesin e prokurimit. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë.
Përmes këtij memorandumi KDI, mori zotimin e palëve nënshkruese për bashkëpunim në projektin e monitorimit të shpenzimit të parave publike në tenderët e MI, MSH, KEK dhe AQP përmes projektit për rritje të mbikëqyrjes publike dhe llogaridhënies së institucioneve publike të Kosovës që përkrahet nga Ambasada Britanike.
Me këtë rast drejtori ekzekutiv i KDI-së Ismet Kryeziu, theksoi se KDI si degë e Transparency International ka një kohë të gjatë që është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, edhe ky projekt është një tentativë për të ofruar ekspertizën tonë për parimet e mirëqeverisjes, për parimet e llogaridhënies, transparencës në shfrytëzimin e parasë publike. “Falënderojmë ambasadën që e ka mundësuar këtë program përmes të cilit do të shohim nga afër procesin prokurimit që nga planifikimi deri tek menaxhimi i kontratave publike me qëllim që ky proces të jetë sa më transparent, me sa më pak defekte dhe sa më pak mundësi të keqpërdorimit të parasë publike”, ka thënë ai.
Sipas Kryeziut duke marr parasysh edhe zotimet e Qeverisë së Kosovës në Samitin e Londrës të vitit 2016 për luftën kundër korrupsionit dhe të gjitha agjendat edhe të bashkësisë ndërkombëtare edhe të akterëve vendor, kjo është periudha kur Kosova duhet t’i qaset seriozisht edhe shpenzimit sa më të mirë të parasë publike, transparencës e llogaridhënies përballë qytetarëve.
Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairí O’Connell, ka thënë prokurimi publik në Kosovë po përballet me sfida të shumta dhe se shpesh ka shërbyer si burim i korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Jemi të gjithë dëshmitarë të skandaleve të njëpasnjëshme dhe akuzave të kontratave të fryera në prokurim. Kur është në pyetje një punë private, njerëzit mund të vendosin si të duan dhe t’i japin kontratat kujt të duan, por kur zyrtarët marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, ata duhet të mendojnë për interesin e qytetarëve se si i shpenzojnë fondet publike dhe jo për përfitimet e tyre personale”, ka shtuar ai.
Sipas O’Connell Kosova ka pasur iniciativa, struktura, burokraci një pas një për të parandaluar korrupsionin dhe faktor kryesor është vullneti politik, faktori ky që ka munguar dhe e ka lejuar korrupsionin. “Po shpresoj se pjesëmarrja e dy ministrave në këtë projekt dhe pranimi për të monitoruar tregon që mund të ekzistoj ky vullnet politik. Rezultatet e projektit mund të dëshmojnë ose jo a ekziston më të vërtet ky vullnet”, ka thënë ndër të tjera ai.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka theksuar se ky memorandum e bënë më të lehtë, gjithmonë sipas ligjit qasjen në dokumente zyrtare për KDI. “Që nga fillimi prej kur kam ardhur në krye të kësaj ministrie e përsëris fuqishëm që jemi të hapur për të qenë transparent para taksapaguesve, qytetarëve të Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera që shfaqin interesim për kontrata dhe dokumente të tjera brenda kësaj ministrie. Nënshkrimi i këtij memorandumi është njëra nga dëshmitë që e gjitha ajo që është për publikun dhe që nuk është e sanksionuar ndryshe me ligj do të jetë e hapur dhe e qasshme për të gjithë”, ka thënë Lekaj.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka potencuar se e ka mirëpritur shumë këtë projekt. “Vetë prania jonë tregon se është një projekt për të cilin kemi qenë të dedikuar edhe ne”, ka thënë ai. Sipas Ismailit, MSh-ja ka filluar një sërë praktikash që pikërisht kanë pasur synim luftën kundër korrupsionit. Ai ka shtuar se në të kaluarën ka pasur skandale të shumta me barna në këtë ministri ndërsa sot ka blerje me çmime shumë më të lira të produkteve të njëjta. “Duhet të ndihmojmë njëri tjetrin qe të ketë sistem të qëndrueshëm për luftimin e korrupsionit. Duhet të kemi sistem që nuk varet vetëm nga një ministër”, ka thënë ai ndër të tjera.
Kryesuesi i Bordit Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, Faruk Hajrizi, ka theksuar se KEK-u e mbështet ketë iniciative duke thënë se shpreson se kjo do të shërbej pozitivisht në procese të shumta të korporatës në fushën e prokurimit publik. Ai ka shtuar se kanë nevojë për një shikim ndryshe të punës që bëhet brenda korporatës dhe ka ofruar mbështetje për këtë projekt.
Po ashtu drejtori i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behxhet Rukiqi, ka deklaruar se e mirëspresin këte inicativë dhe do ta mbështesin KDI-në në këtë projekt.