Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përcjellë me shqetësim punimet e seancës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit.
Punimet e seancës së Kuvendit Komunal të Prizrenit të 31 korrikut nga diskutimet kanë degraduar në sulme verbale dhe fizike, në mes asambleistit të PDK-së, z. Bardh Avdaj dhe kryesuesit të Kuvendit, z.Artan Abrashi.
Veprimet dhe përplasjet e anëtarëve të Kuvendit të Komunës në seancën e sotme bien ndesh me vlerat dhe normat demokratike në të cilat duhet të zhvillohen punimet e Kuvendit.
Angazhimi i anëtarëve të kuvendit duhet të jetë në përfaqësimin e interesave, ngritjen e çështjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, andaj çdo tejkalimi i këtij parimi shkel mandatin dhe përgjegjësinë e këshilltarit si përfaqësues i qytetarëve.
KDI u bën thirrje anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prizrenit të përmbahen nga gjuha denigruese, sulmet verbale dhe fizike. Njëkohësisht kërkon nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës të vë në përdorim respektimin e plotë të Rregullores së punës dhe të ndërmarrë masa adekuate ndaj anëtarëve të këtij institucioni që përdorin gjuhë denigruese dhe sulme verbale dhe fizike ndaj anëtarëve të kuvendit.