Prizren, 13 prill 2011 – Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar një debat në lidhje me domosdoshmërinë e renovimit të seksionit të baletit që është pjesë e Shkollës së Muzikës ?Lorenz Antoni?. Ky debat është organizuar si pjesë e procesit për avokim dhe lobim tek anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit me qëllim të zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohen nxënësit dhe mësimdhënësit e këtij institucioni me reputacion të madh.
Në këtë debat morën pjesë anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, LDK-së, mësimdhënësit e këtij institucioni dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave të Prizrenit.
Përfaqësuesi i KDI Z. Kreshnik Basha ka potencuar që të gjithë jemi dëshmitar se objekti i seksionit të baletit të kësaj shkollë nuk i plotëson as kushtet minimale dhe se janë të turpshme , andaj është e domosdoshme të bëhet një veprim i mirëfilltë i institucioneve lokale; kjo për arsye se vetëm nëpërmjet përkrahjes dhe përparimit të artit dhe kulturës mund të bëhet ngritja shpirtërore e qytetit tonë dhe përparimi i imazhit të saj jashtë.
Përfaqësuesi i shkollës Z. Salajdin Kiqe ka shtuar se kushtet e vështira shpeshherë ndikojnë në shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënësve; dhe se ato kanë ndikuar dukshëm edhe në braktisjen e shkollës nga nxënësit; si dëshmi më e mirë për këtë është edhe fakti se nga afro 50 nxënës të regjistruar në klasën e parë (1), nuk mbesin as 1/5 e tyre në klasën e tretë (3).
Të gjithë të pranishmit u pajtuan që kjo iniciative duhet të përkrahët nga strukturat komunale pasi që ky objekt nuk i ofron nxënësve dhe mësimdhënësve një vend të mirëfilltë ku ata mund të shprehin pasionin e tyre për përsosje kulturore dhe me kontributin e tyre të bëhen pjesë integrale e qytetit të Prizrenit. Drejtori i shkollës Z. Zeqir Kryeziu ka falënderuar të pranishmit për përkrahjen e tyre dhe në fund të prezantimit së bashku me Projekt Planin ka dorëzuar edhe kërkesën formale për renovimin e seksionit të baletit tek përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Kjo kërkesë që pritet të shqyrtohet në takimet e radhës së Kuvendit Komunal të Prizrenit është në përputhje me Ligjin Kosovar Nr. 03/L-040 për Qeverisje Lokale në të cilën citohet se komunat i kanë kompetenca e plota dhe ekskluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar me ligj, në fushat sikurse që janë shkollimi parashkollor, fillor dhe i mesëm, dhe po ashtu edhe veprimtaritë kulturore dhe veprimtaritë tjera të ngjashme dhe të rëndësishme për qytetarët e Komunës dhe për administrimin adekuat të territorit të komunës.