KDI angazhohet për hartim të bazës ligjore për mbrojtje të ambientit në Dragash

01.01.2011

Dragash, 06.10.2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi tryezë diskutimi në Komunën e Dragashit në të cilët u diskutua mbi ?Bazën ligjore për mbrojtje të ambientit në Komunën e Dragashit?.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë vunë theksin në gjendjen e palakmueshme në të cilin ndodhet ambienti në këtë komunë për shumë shkaqe duke filluar nga mungesa e një rregulloreje përkatëse në këtë segment, mungesës së kapaciteteve të njësisë kompetente për pastrim të ambientit, mungesën e mjeteve financiare për ngritje të kapaciteteve, mos përfshirja e një pjese të territorit të Komunës së Dragashit në sistemin e menaxhimit të mbeturinave e deri tek mungesa e vetëdijes tek qytetarët e Komunës së Dragashit për mbrojtje të mjedisit.

Nevoja për angazhim të të gjitha institucioneve kompetente të Komunës së Dragashit me qëllim të mbrojtjes së ambientit, u theksua posaçërisht tashmë kur kjo komunë po bën hapa serioze në drejtim të proklamimit të kapaciteteve të saj për turizëm. Andaj, premtim i të gjithë të pranishëmve ishte angazhimi i mëtejmë i tyre në drejtim të vetëdijësimit të qytetarëve për mbrojtje të ambientit, rritje të kapaciteteve të njësisë rajonale për pastrim të mbeturinave, kyçjen e gjithë territorit të kësaj komune në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, hartimin e një draft rregulloreje nga shoqëria civile për mbrojtje të ambientit dhe miratimi i saj nga Kuvendi i Komunës së Dragashit dhe hapa tjerë konkret gjithnjë me qëllimin final që Komuna e Dragashit të ketë një ambient më të pastër.

Në këtë tryezë të pranishëm ishin përfaqësues të Kuvendit të Komunës së Dragashit, të Qeverisë Komunale, përfaqësues të subjekteve politike, të shoqërisë civile dhe media.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit ?Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë? të mbështetur nga Olof Palme Center.