Prizren – 07.06.2010 Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka hartuar raportin mbi punën e kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit për muajin maj 2010.
Në bazë të kësaj, gjatë muajit maj, kuvendet e komunave të këtij regjioni kanë mbajtur pesë mbledhje ndërkohë që dy të tjera kanë dështuar. Sikurse gjatë muajve të kaluar, edhe gjatë muajit maj shqetësuese paraqitet funksionaliteti i Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe e Rahovecit. Kuvendi i Komunës së Prizrenit, që nga konstituimi i saj më datë 12.02.2010 nuk ka arritur të mbajë asnjë mbledhje të rregullt. Të gjitha mbledhjet tjera të mbajtura në ndërkohë ose kanë qenë të jashtëzakonshme ose kanë dështuar. Situatë pak a shumë e ngjashme paraqitet edhe në Kuvendin e Komunës së Rahovecit ku të dyja mbledhjet e parapara të mbahen në këtë organ gjatë muajit maj kanë dështuar.
Duke pas parasysh se shumica e mbledhjeve të jashtëzakonshme dhe të dështuara paraqiten në Kuvendin e Komunës së Prizrenit dhe atë të Rahovecit, tashmë është koha e fundit që organet kompetente të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim të shndërrimit të këtyre organeve të vetëqeverisjes lokale në institucione që funksionojnë dhe që mbrojnë interesat e qytetarëve.
Ajo çka vlen të theksohet në lidhje me Kuvendin e Komunës së Malishevës është se në këtë komunës ka ardhë në shprehje mos respektimi i dispozitave ligjore të Ligjit mbi arsimin në komunat e Kosovës për formimin e komisionin intervistues. Në të njëjtën kohë kjo dukuri është vërejtur edhe në komunat tjera të Regjionit të Prizrenit sikurse Komuna e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit. ?Problematikë shtesë në këtë segment, është edhe mungesa e gatishmërisë për intervenim e institucioneve qendrore me rastin e shkeljeve ligjore gjatë formimit të komiteteve të ngjashme në komunat e Regjionit të Prizrenit? Naim Cahani, koordinator i KDI-së
Po ashtu vlen të theksohet edhe fakti se Kuvendi i Komunës së Mamushës në mbledhjen e saj të fundit ka reflektuar në kritikat e KDI-së dhe institucioneve tjera të cilat monitorojnë punën e këtij organi duke ndryshuar përbërjen e Komitetit për Komunitete dhe duke kthyer ligjshmërinë në vend në këtë segment.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është OJQ vendore e cila ka për mision të ofrojë mbështetje në zhvillimin e demokracisë përmes fuqizimit dhe ndikimit të sektorit joqeveritar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve qeveritare.
Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit ?Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë? të mbështetur nga Olof Palme Center (OPIC).