Grupet jo-formale të Grave mbesin një ndër mekanizmat adekuat ne trajtimin e nevojave të grave në nivel lokal. Trajtimi i problemeve, mbrojtja, ngritja e zërit dhe përfaqësimi i grave nga Grupet jo-formale në drejtim të institucioneve lokale mbetet në çështje e rëndësisë së veçantë. Themelimi i Grupeve jo-formale të grave, ka për synim fuqizimin dhe konsolidimin e grave në qeverisjen lokale.
Aktualisht, Komuna e Mamushës është e vetmja komunë në regjionin e Prizrenit e cila nuk e ka të formuar një grup të tillë. Me iniciativën e KDI- është organizuar një takim me gratë asambleiste të komunës së Mamushës, nënkryetaren , dhe Zyrtaren për Barazi Gjinore. Ky takim sot ka rezultuar me formimin e GGA-së në këtë komunë.
Derisa Kuvendi i Komunës së Mamushëës përfaqësohet me vetëm 5 gra asambleiste, ideja në themelimin e një grupi jo formal ku do të përfshiheshin edhe akterët tjerë jashtë kuvendit të komunës do të rezultonte në një përfaqësim dhe angazhim më të madh të grupit në mbrojtjen e interesit të grave të komunës së Mamushës.
Nënkryetarja e Komunës së Mamushës Znj. Ganimete Sadiku e vlerësoi këtë iniciativë dhe e shprehu gatishmërinë e saj për formimin e këtij grupi, duke e parë këtë grup si inkurajim të procesit të ndërmarrjes së aktiviteteve të cilat do ta fuqizojnë profilin e gruas dhe do t’i mbrojnë më shumë interesat e tyre.
Zyrtarja për Barazi Gjinore Znj. Seylan Mazrek ka potencuar se një grup i tillë do i ndihmojë grave të Komunës së Mamushës duke i ngritur disa çështje me rëndësi te autoritetet lokale dhe qendrore qe kanë te bëjnë me barazi gjinore në Komunë.
Edhe gratë asambleiste të komunës së Mamushës e shprehën vullnetin e tyre për të krijuar një grup jo formal të grave dhe theksuan se një grup i tillë do të shërbente për lehtësimin e nevojave të grave në këtë komunë veçanërisht ato shëndetësore.
Në këtë tryezë u diskutua edhe “Rregullorja për Grupin jo-formal të Grave”, në bazë të së cilës u morën disa vendime sa i përket rrotacionit të zgjedhjes së Kryesueses dhe Zv.Kryesueses të këtij grupi. Përveç kësaj, u theksuan edhe disa praktika dhe eksperienca të mira dhe të suksesshme nga Grupet jo-formale të Grave të komunave të tjera, të cilat do të përdoren si model për zhvillimin e aktiviteteve nga ana e GGA-së në Komunën e Mamushës.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).