Implementimi i agjendës së BE-së për zhvillim të qëndrueshëm sfidë për Kosovën

Tryeza 15.12.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin online me temën“Perspektiva e BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm: Mundësitë e Kosovës” me njohës të politikave të BE-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë. Në këtë tryezë virtuale u diskutua rreth politikave të Bashkimit Evropian lidhur me promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm brenda dhe jashtë BE-së. Ndër tjerash, ekspertët e fushës kanë dhënë perspektivën e tyre lidhur me atë se cilat janë mundësitë dhe sfidat e Kosovës për implementimin e këtyre politikave dhe ndërlidhjen e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm me procesin e anëtarësimit në BE.

Demush Shasha nga Instituti EPIK duke folur mbi përmbajtjen e agjendës 2030 të miratuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara tha se ajo është adaptuar edhe nga BE-ja dhe nga 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së, në vitin 2019 Komisioni Evropian i ka organizuar ato në 6 prioritete politike për vitin 2019- 2024 duke përfshirë këtu agjendën e gjelbër, ekonominë gjithëpërfshirëse, tranzicioni në ekonominë digjitale, standardet evropiane, BE-ja si fuqi globale për standarde demokratike për shtetet e treta, promovimi i demokracisë evropiane për vet shtetet e BE-së. Ai në fjalën e tij gjithashtu potencoi faktin që Kosova ka dy sfida kryesore në implementimin e kësaj agjende, që sipas tij janë mungesa e vullnetit politik dhe mungesa e kapaciteteve administrative për planifikimin kompleks që kërkon ky proces.

Në anën tjetër, Donika Emini nga CIVIKOS tha se edhe për vet BE-në implementimi i kësaj agjendë është sfidë në vete për shkak se BE-së i mungon një strategji afatgjate dhe nuk ka mekanizma për sanksione ndaj shteteve brenda BE të cilat nuk e zbatojnë këtë agjendë. Gjithashtu ajo theksoi faktin që mungesa e vullnetit politik është sfidë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht për Kosovën. Ndonëse Kosova është zotuar për zbatimin e kësaj agjende dhe objektivat e saj, ajo u shpreh që institucionet e Kosovës nuk kanë treguar qasje serioze karshi zbatimit të këtyre politikave gjë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Kurse Venera Aqifi nga GIZ duke folur për ndërlidhjen mes procesit të integrimit evropian me agjendën për zhvillim të qëndrueshëm, tha se këto dy procese janë të lidhura me njëra – tjetrën sepse rezultatet e njërës fushë ndikojnë në rezultatet e fushës tjetër. Duke treguar planin e BE-së për Ballkanin Perëndimor sa i përket agjendës së gjelbër konform Paktit të Gjelbër të BE-së, vlerësoi punën që ka bërë Kuvendi në mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj agjende duke krijuar Këshillin për zhvillimin e qëndrueshëm dhe Grupin e deputetëve të gjelbër që mbikëqyrin këtë proces.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave të përbashkëta evropiane” që financohet nga programi ‘Evropa për Qytetarët’ dhe implementohet nga KDI së bashku me tri organizata partnere,  Transparency International nga Hungaria, Transparency International Maqedonia dhe organizata Forumi i Ekspertëve nga Rumania.