HAPET GARA PËR FOTON MË TË MIRË TË KORRUPSIONIT “FOTOGRAFO NDIKIMIN E KORRUPSIONIT NË MJEDIS” 2023

Njoftime 02.11.2023

KDI këtë vit, për të 9-tin vit me radhë organizon garën për fotografinë më të mirë që tregon korrupsionin në Kosovë. Gjatë këtyre 9 viteve, qindra qytetarë përmes dërgimit të fotografive i janë bashkuar përpjekjeve shoqërore për ta ekspozuar dhe luftuar korrupsionin!

Sivjet kemi vendosur t’ju sfidojmë me një detyrë të rëndësishme: Përmes fotografisë tregoni lidhjen midis korrupsionit edhe mjedisit (ambientit)!

Korrupsioni mjedisor është fenomen shume i përhapur dhe përfshin aktivitetet e paligjshme që e mundësojnë shkatërrimin e habitateve natyrore, ndotjen e ajrit, tokës e ujërave, eksploatimin e resurseve natyrore, e të tjera, të gjitha këto me kosto të lartë në shëndetin e njeriut dhe në degradimin e natyrës, kafshëve e bimëve që jetojnë në të.

Duke bërë fotografi që tregojnë efektet e korrupsionit në mjedis, ju jo vetëm që po bëheni qytetar AKTIV, por po i vetëdijësoni qytetarët e institucionet dhe po kërkoni llogari e po bëni hapa të rëndësishëm që sjellin ndryshime në komunitetet  e juaja.

Përveç që do të argëtoheni e të kontribuoni për çështjet mjedisore, duke marrë pjesë në garë ju keni shans për të fituar një nga tre çmimet kryesore në vlerë prej 200, 150 ose 100 Euro.

Gara do të jetë e hapur nga data 2 deri më 30 nëntor 2023 dhe gjithcka që ju duhet të bëni është që të dërgoni 1 deri në 3 fotografi në adresën elektronike [email protected]. Bashkë me fotografinë(të) ju duhet t’na dërgoni të dhënat si emrin, mbiemrin, moshën, komunën dhe numrin e telefonit.

Tre fituesit shpallen më 9 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit! Po atë ditë do të organizohet edhe ekspozita e fotografive.

Kushtet dhe rregullat:

  • Aplikuesit duhet të jenë mbi moshën 18 vjeç.
  • Aplikuesit mund të dërgojnë maksimalisht 3 fotografi.
  • Fotografitë e dërguara duhet të paraqesin ndikimin e korrupsionit në mjedis (ambient).
  • Fotografitë duhet të bëhen në territorin e Kosovës dhe të jenë të realizuara ekskluzivisht për këtë garë. Çdo fotografi e publikuar para garës apo e realizuar për qëllime të ndonjë gare tjetër eliminohet.
  • Fotografitë e dërguara duhet të kenë rezolucion të lartë Full HD 1920×1080 px.
  • Çdo aplikues/garues duhet të garantojë që fotografia(të) është bërë me miratim të protagonistëve, pasi atyre u është garantuar se nuk do t’u shkelen të drejtat, përfshirë të drejtën e privatësisë, të drejtën e pronësisë intelektuale, të drejtën e kopjimit të paautorizuar apo ndonjë të drejtë të ndonjë personi të tretë;
  • Fituesit e garës duhet të jenë të gatshëm t’a tregojnë storien prapa fotografive të tyre, verbalisht ose në të shkruar.

Klauzola:

  • Me rastin e pjesëmarrjes në këtë garë, garuesi garanton se është autor i fotografisë. Në rast se paraqitet çfarëdo kontesti mbi të drejtën e autorit, KDI nuk merr asnjë përgjegjësi.
  • Nëse në garë konkurrojnë dy a më shumë fotografi që portretizojnë objektin apo subjektin e njëjtë, përzgjidhet ajo që ka vlerë më të lartë artistike.
  • Garuesi në momentin e aplikimit i jep të drejtë Institutit Demokratik të Kosovës KDI që ta përdorë, shpërndajë, shtypë, ta përdorë në raporte, promovim të ndonjë aktiviteti apo rishpërndaj fotografinë, pa pasur nevojë të kërkojë leje nga autori.
  • Çdo kontest që mund të paraqitet në lidhje me këtë garë do të trajtohet në përputhjet me Ligjet e Republikës së Kosovës.
  • Shumat e çmimeve janë subjekt i tatimit në fitim.