Një mike timen feministe e pyeta njëherë çka është feminizmi, më sqaroi shumë shkurtë, feminzmi nuk është asgjë më shumë e as më pakë se sa një përkushtim përmes së cilës synohet për të garantuar të drejtat e barabarta për të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë apo seksit që i takojnë.
Nëse i shohim me kujdes botëkuptimet tona për feminizmin dhe demokracinë, demokracia ndërtohet mbi të drejtën themelore që është liria dhe barazia, të drejta të cilat e kanë kultivuar nevojën për lëvizje feministe. Prandaj unë sot tentoj të jem feminist, sepse kjo ndjenjë për të kontribuar që njerëzit të jenë të barabartë të pasuron me vlerë dhe virtyte njerëzore, të bën të ndjehesh fisnik.
Respektimi i të drejtave themelore të njeriut; si e drejta për jetë, lëvizje, besim etj, janë normat bazë mbi të cilat funksionon demokracia. Të drejtat nuk na dhuroi askush, ato na takojnë si të drejta me të cilat kemi lindur. Këto të drejta janë universale dhe të patjetërsueshme.
Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, aktivitetet nën moton#NataEshteEJona, aktivitet i filluar në nivel global, i përkrahur nga të reja e të rinj dhe tek ne, kishin për synim të kontribuojnë për të garantuar një ambient lirie e veprimi, të barabartë për të gjithë, pa ju ekspozuar ngacmimeve fizike, seksuale apo psikologjike.
Kjo lëvizje ishte një tentativë e disa të rejave dhe të rinjve të cilët treguan se janë të përkushtuar për të na ndihmuar që të jemi më të edukuar dhe më të formësuar, të jemi më fisnik duke kontribuar për të avancuar disa parime e vlera shoqërore ku gratë gëzojnë të drejtat pa u ngacmuar seksualisht.
Lexoni artikujt e Rrita Mustafa ‘’ E shkrova deklaratën time të pavarësisë me ujë të njelmët dhe maskarë’’,Aulonë Kadriu –‘’Rrëzohu shtatë herë, qohu në të tetën’’ Diona Doli ‘’Letër prej zemrës së plasun’’ e shumë e shumë artikuj të tjerë. Lexojini se me çfarë pasioni përshkruajnë raste e insinuata që ndodhin për ditë e për natë në rrugët e familjet Kosovare. Apo shikojeni videon e punuar nga Oda Haliti dhe Fatos Mehmeti se si një vajzë gjatë shkuarjes në punë, në shkollë, në treg, në shëtitore u ngacmua seksualisht mbi pesëdhjetë herë brenda tetë orësh, u ngacmua në mënyrën më të vrazhdë, denigruese, frikësuese dhe poshtëruese. Këto janë vetëm disa raste që mund ti lexoni apo ti shihni, e edhe sa raste të tilla që përjetojnë një gjendje të tillë shpirtërore në punë në shkolla, bare e gjithandej i shohim në përditshmëri dhe i tejkalojmë me dozë normaliteti.
Prandaj #NataEshteEJona, nëse asgjë s’ka arritur të ndryshojë, ka arritur të shpërfaqë dhe të reflektojë zhvillimin e burrave tanë, ngacmues seksual (të më falin jo të gjithë por jo dhe të pakët).
Madje disa burra nga ne ndoshta nuk u bënë rezistentë në mënyrën më të vrazhdë, por së paku u bënë neglizhentë apo dhe ironik për ta përkrahur apo për tu bërë pjesë e kësaj lëvizje. Sdi pse kjo rezistencë nuk po shndërrohet në një rezistencë ndaj krimit, korrupsionit, keqqeverisjes, abuzimit të përditshëm që na bëhet si qytetarë nga institucionet dhe të zgjedhurit tanë, por u provokuam dhe shfaqem rezistencë duke ironizuar ndaj aktiviteteve dhe mesazheve në mbrojtje të grave nga ngacmimet seksuale.
Mesazhe përmbajtjesore shumë mirë të artikuluara dhe lehtë të kuptuara për të gjithë, si ato që u përdoren në rrjetet sociale, apo dhe në marrshin e së shtunës, ja disa nga to; “Çka nëse ngacmohet motra jote, a pe lyp edhe ajo?”, “Emri jem nuk është : zemër shpirt, KËS KËS,llokum”, “S’është kompliment, është ngacmim”, ‘’Trupi im nuk është publik ’’,‘’Trupi jem, e drejta jem’’, “Jo d.mth. Jo” etj.
Kjo gjendje e shoqërisë më shumë se dekurajuese është konfirmative se sa kemi nevojë të vazhdojmë dhe të jemi të përkushtuar për emancipim dhe zhvillim të virtyteve njerëzore. Të bëhemi burra që instinktet i kontrollojmë dhe nuk i shpërfaqim përmes ngacmimeve seksuale.
Ato nuk po kërkojnë asgjë më shumë, e as më pakë nga ne, thjeshtë po kërkojnë një të drejtë të tyre që të lëvizin dhe veprojnë lirshëm pa ju ekspozuar ngacmimeve fizike, seksuale apo psikologjike.
Po e përmbyll me një mesazh të kësaj lëvizje, i cili më ka pëlqyer më së shumti; Nuk ke nevojë me mësua çiken mos me dalë natën. Edukoje djalin ma mirë.#NataEshteEJona.
(Autori është drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës-KDI.)