Efikasiteti i Komunës së Gjilanit në Prokurimin Publik

19.03.2015

Në këtë tryezë u diskutua në lidhje me menaxhimin që po u bën Komuna e Gjilanit financave publike, përmes procedurave të prokurimit publik. KDI/TIK, ka publikuar një raport në këtë tryezë, në të cilin janë analizuar disa tender të këtij institucioni. Të njëjtit tender janë krahasuar në lidhje me çmimet, kriteret e përcaktuara, dosjen e tenderit etj.
Diellëza Xhemaili nga KDI/TIK shpalosi të dhënat e raportit ku ceku se prokurimi publik në Gjilan përcillet me shumë probleme. Sa i përket tenderëve të analizuar, ai me naftë ka çmim jo-normalisht të ulët i cili dëmton konkurrencën. Komuna duhet të blejë 10.000 (dhjetë mijë) litra naftë që kompania të fitojë 1 (një) euro. Kjo nuk është normale. Çmimit jashtëzakonisht të ulëta të tenderit për shtrimin e rrugëve me kubëza betoni rrezikojnë që punët të kryhen me kualitet të ulët. Një e gjetur tjetër e paraqitur ishte dallimi i madh i çmimeve të kontratës për mirëmbajtje të rrugëve. Raporti gjithashtu ka konstatuar se ka mungesë të mbikëqyrjes së tenderëve të cilët rezultojnë me cilësi të dobët.
Salih Kqiku drejtor i prokurimit të Komunës së Gjilanit tha se Komuna ka evidentuar këto çmime të ulëta, mirëpo tha se ka marrë garanci nga operatorët ekonomikë se punët do të kryhen në përputhje me kontratën e nënshkruar.
Sahit Abazi nga PDK tha se problemi më i madh në Komunën e Gjilanit është ndarja e tenderëve në vlera të vogla nën 10,000 Euro dhe më pastaj këto kontrata u ndahen operatorëve pa procedura të prokurimit. Ai dha një shembull ku rrënimi i një objekti ka kushtuar 6,000 Euro ndërkohë që vlera e punëve nuk ka arritur vlerën 500 Euro.
Nevzad Isufi nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur kritika rreth transparencës së ulët të Komunës rreth prokurimit publik pasi që Komuna nuk publikon shumicën e njoftimeve për kontratë në uebfaqe. Ai gjithashtu kritikoi Komunën për numrin e madh të procedurave të anuluara si dhe vonesat në realizmin e projekteve të cilat drejtpërdrejtë prekin jetën e qytetarëve sikurse dezinfektimi, mirëmbajtja e rrugëve, dhe furnizimi me dru i shkollave, etj.
Anëtari i Kuvendit të Komunës Fehmi Sylejmani nga Lëvizja Vetëvendosje tha se çdo vit kemi verë dhe çdo vit kemi dimër por komuna çdoherë është e papërgatitur për furnizime me dru të shkollave dhe mirëmbajtje të rrugëve.
Kryetari i Komunës me gjithë konfirmimin ka shmangur ballafaqimin me qytetarë vetëm pak momente para fillimit të debatit.
Raportin e plotë dhe të gjeturat mund ti shkarkoni në ueb-faqen e KDI-së www.kdi-kosova.org

Ky aktivitet i KDI/TIK është realizuar në kuadër të projektit Transparenca dhe llogaridhënia në prokurimin publik në nivelin lokal, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.