Sot, rrjeti i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) mbajti një konferencë për media gjatë së cilës u publikua një vlerësim ex-ante i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Qëllimi i këtij adresimi të DnV-së është që të nxitet një klimë diskutimesh në publik lidhur me çështjet që duhet të adresohen në prag të zgjedhjeve.
Modeli i fushatës zgjedhore, të cilin e kemi hasur zakonisht në zgjedhjet lokale ka favorizuar kandidatin për kryetar të komunës, duke anashkaluar kandidatët për kuvendet komunale. Fillimi i aktiviteteve të fushatës zgjedhore para fillimit zyrtar të saj ka krijuar përparësi konkurruese të disa subjekteve, në kundërshtim me frymën e garës së barabartë zgjedhore. Po ashtu, fillimi i parakohshëm i fushatës po u ka mundësuar subjekteve të caktuara që t’i shtrembërojnë shpenzimet reale, duke raportuar vetëm ato të bëra gjatë fushatës zyrtare, që paraqesin vetëm majën e ajsbergut. Përveç periudhës së parafushatës, financimi dhe deklarimi i shpenzimeve mbeten çështje problematike edhe gjatë fushatës. Kandidatët në garë zgjedhore lokale, në mungesë të detyrimit ligjor, nuk kanë publikuar të hyrat dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës, duke cenuar transparencën e procesit dhe parimin e garës së barabartë zgjedhore.
Karakteristikë e diskursit të fushatës zgjedhore ka qenë riciklimi i premtimeve nga zgjedhjet paraprake për tema që shpesh nuk janë fare në kompetencë të komunave. Platformat në të shumtën e rasteve, përveç që publikohen shumë vonë, janë më shumë deklarata politike shabllone sesa ofertë serioze për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Po ashtu, kandidaturat zakonisht sillen vetëm rreth të parit të komunës duke mos ofruar asnjë informatë lidhur me ekipin apo kabinetin qeverisës që do të përfshihet në zbatimin e këtyre platformave. Në anën tjetër, korrupsioni zgjedhor, i shpërfaqur përmes përdorimit të resurseve publike për qëllime të fushatës, ka qenë një prej fenomeneve më negative të zgjedhjeve. Kjo është tipike për pjesën më të madhe të komunave, por në raste të caktuara evidentohet mobilizim i resurseve shtetërore në funksion të fushatës së kandidatëve të partisë në pushtet.
Pjesëmarrja e grave duket të jetë gjithnjë e më simbolike në proces zgjedhor, e manifestuar përmes deficitit të kuadrove të grave në lista zgjedhore – sidomos si bartëse të listave – por edhe hapësirës dhe mbështetjes financiare që grave kandidate u ofrohet gjatë fushatës. Në të gjithë historikun e zgjedhjeve lokale në Kosovë, vetëm një grua ka arritur të zgjidhet kryetare e komunës në vitin 2013, ndërsa numri i kandidaturave të grave është shumë simbolik, me mesatarisht vetëm pesë gra kandidate në 100 kandidatë. Edhe si bartëse të listave, gratë janë të përfshira minimalisht. Në dy palë zgjedhjet e fundit, vetëm rreth 40 gra kanë qenë bartëse të listave, nga qindra bartës sa ka pasur gjithsej. Nënpërfaqësimi i grave është evident edhe në trupat menaxhuese të zgjedhje, ku subjektet politike ende mbeten larg zotimeve të tyre për përfshirje të grave në shkallën prej 40%.
Mediat tradicionale dhe ato sociale, janë shndërruar ndër format kryesore të të bërit fushatë, posaçërisht gjatë proceseve të fundit zgjedhore. Sidoqoftë, si rezultat i mosrespektimit në nivel të duhur të rregullativës ligjore, mediat shpeshherë shërbejnë si instrumente të promovimit partiak.
Në aspekt të menaxhimit të zgjedhjeve, KQZ ka shënuar përmirësime të ndjeshme. Megjithatë, shumica e parregullsive të evidentuara gjatë procesit të votimit janë rezultat i trajnimeve jocilësore dhe joadekuate të komisionerëve. Si rezultat i trajnimeve të tilla, sidomos në raport me procesin e numërimit, kemi një përqindje të madhe të vendvotimeve të cilat rinumërohen sërish. Po ashtu, puna e KQZ-së është shoqëruar nga politizimi i diskutimeve, që ka shkaktuar pengesa në mbarëvajtjen e punës së saj.
Duke u bazuar në këto vlerësime ex-ante të zgjedhjeve të 17 tetorit, DnV ofron rekomandimet kyçe si vijon: