DnV publikon Rezultatet Preliminare për Subjektet Politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 7 Qershorit 2026

Konferenca për media 07.06.2026

DnV publikon Rezultatet Preliminare për Subjektet Politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 7 Qershorit 2026

Përkundër daljes dukshëm më të ulët, procesi i votimit ka rrjedhur në atmosferë të qetë ndërsa votuesit patën mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë.

DnV i përgëzon të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre të votës dhe kontribuan në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, të qetë dhe përgjithësisht të rregullt. Po ashtu, vlerësohet angazhimi i KQZ-së për administrimin e procesit zgjedhor, pavarësisht afateve të shkurtra për organizim.

Sipas DnV-së dalja e përgjithshme e votuesve deri në mbyllje të vendvotimeve ishte 37%. Në këtë përqindje nuk është përfshirë dalja e votuesve që kanë votuar me kusht dhe atyre që kanë votuar nga jashtë vendit.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në zgjedhjet e parlamentare të 28 Dhjetorit 2025 sipas DnV-së ishte 45%, 8% më e lartë se në këto zgjedhje. Në zgjedhjet e 9 shkurtit në intervalin e njejtë kohor ishte 44.1%, ndërsa dalja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2021 ishte 48,78%.

Ashtu siç edhe është raportuar në intervalet tjera gjatë ditës, problematika kyçe që e ka karakterizuar procesin e votimit lidhet me vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimin e saktë, përkundër që atyre u ishte ofruar mundësia nga KQZ, që përmes linkut ose përmes shkuarjes në KQZ t’a konfirmojnë Qendrën e tyre të votimit dy muaj para zgjedhjeve.

 

Këto zgjedhje kanë shënuar rënie të ndjeshme të rasteve të votimit me asistencë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndonëse analiza më të detajuara do të nevojiten pas përfundimit të procesit për të kuptuar më mirë arsyet e këtij ndryshimi, të dhënat nga vëzhgimi tregojnë se zbatimi më i rreptë i rregullave për votimin me asistencë ka ndikuar në uljen e numrit të këtyre rasteve.

 

***REZULTATET PRELIMINARE***

Lëvizja Vetëvendosje – LVV                                                 42,7% (Margjina e gabimit +/-1,7%)

Partia Demokratike e Kosovës – PDK                       21,5% (Margjina e gabimit +/-1,6%)

Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK                      17,7% (Margjina e gabimit +/-1,1%)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK               7,1% (Margjina e gabimit +/-1,1%)

Srpska Lista – SL                                                        6,4% (Margjina e gabimit +/-2,0%)

Za Slobodu, Pravdu i Opstanak – SPO                       0,8% (Margjina e gabimit +/-0,2%)

 

**Në rezultatet preliminare nuk janë të përfshira votat nga jashtë dhe votat me kusht

**Pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet politike që nuk garojnë për vendet e rezervuara

**Margjina e gabimit është për rezultatet e secilit subjekt politik

**Këto rezultate reflektojnë 75% të mostrës, dhe rezultatet mund të pësojnë ndryshime brenda margjinave të gabimit

 

DnV rikujton se pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike, kutitë e votimit do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, në përcjellje të Policisë së Kosovës. Nga mëngjesi i nesërm, kutitë do të rihapen dhe do të fillojë procesi i verifikimit të votave të subjekteve politike e pastaj i numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike.

DnV kërkon nga subjektet politike të përmbahen nga festimet e parakohshme dhe të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ në mënyrë që procesi të përmbyllet në atmosferë të qetë dhe demokratike, sikurse ishte gjatë gjithë ditës.

***