Koalicioni I OJQ-ve vendore për monitorim të zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, sot përmes konferencës për media shpalosi për publikun raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe atë të monitorimit të mediave për zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit, 2017.
DnV vlerësoi se zgjedhjet e 11 qershorit 2017 ishin të qeta përderisa nuk u shënuan shkelje të rënda dhe veprime të dhunshme, të cilat do të dobësonin besimin e publikut në procesin zgjedhor.
DnV përcolli fushatën zgjedhore 10-ditëshe me 61 vëzhgues afatgjatë të cilët kanë dhënë vlerësimet për gjuhën e përdorur në tubime, për përfaqësimin e grave në fushatë, si pjesëmarrëse në tubime apo kandidate të subjekteve politike, përfshirjen e fëmijëve në fushatë në mënyrë të organizuar, shfrytëzimin e resurseve publike, praninë e shërbyesve civilë, pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe qasjen që u është ofruar në këto tubime etj. Për ditën e Zgjedhjeve, DnV ka angazhuar rreth 2,500 vëzhgues afatshkurtër të cilët kanë mbuluar të gjitha vendvotimet në Kosovë.
Si aspektet pozitive të organizimit të zgjedhjeve u cilësuan:
· Koordinimi i mirë ndërmjet institucioneve shtetërore në ditën e zgjedhjeve (KQZ, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit) që ka ndikuar në rregullsinë e procesit;
· Efikasiteti i PZAP-së në shqyrtimin e ankesave dhe shqiptimin e gjobave;
· Fushata zgjedhore përgjithësisht e përmbajtur nga gjuha e urrejtjes dhe pa incidente;
· Pranimi i rezultateve të zgjedhjeve nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre, që është tregues i nivelit të larë të besimit në proces.
Ndërsa sfidat kryesore që përcollën këtë proces ishin.
· Numri i fletëvotimeve të pavlefshme;
· Fillimi me vonesë i fushatës për informim dhe edukim të votuesve;
· Trajnimet e dobëta të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve;
· Problemet teknike në regjistrimin e votuesve nga jashtë;
· Listat e pasaktë e votuesve dhe prania evidente e personave të vdekur në LV;
· Frikësim dhe ushtrim i presionit ndaj votuesve nga përfaqësues të komunitetit të njëjtë, i raportuar në komunat me shumicë serbe;
· Përdorimi i resurseve publike për qëllime të fushatës zgjedhore;
· Prania e fëmijëve në fushatë;
· Numri i ulët i grave në aktivitetet zgjedhore dhe në TMZ;
Raporti I monitorimit të mediave ka vënë në pah kohën, hapësirën dhe mbulueshmërinë që mediat elektronike dhe ato të shkruara u kanë dhënë subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.
Detajet i gjeni ne linkun http://www.kdi-kosova.org/publikime/133-raporti-i-monitorimit-te-mediave-zgjedhjet-parlamentare-2017-alb.pdf.