Diskutohet projektligji për avokatin e popullit

01.01.2011

Prishtinë. 14 prill 2010. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një tryezë të rrumbullakët për Projektligjin për Avokatin e Popullit. Tryeza kishte për qëllim diskutimin në lidhje me përmbajtjen e Projektligjit për Avokatin e Popullit, projektligj i cili ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Kosovës dhe tani është duke u shqyrtuar nga komisioni funksional, përkatësisht Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi.
Panelistë në këtë tryezë ishin ish-Avokati i Popullit në Shqipëri z. Ermir Dobjani, Avokati i Popullit të Kosovës, z. Sami Kurteshi. Të ftuar të tjerë në këtë tryezë ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat.

Duke folur për draftin aktual të projektligjit, Avokati i Popullit të Kosovës, z. Sami Kurteshi tha që fillimisht institucioni i Avokatit të Popullit i ka pasur shqetësimet e veta në lidhje me atë se pse ky ligj sponsorizohet nga ministria e drejtësisë. Sipas z. Kurteshi, kanë qenë disa ndryshime të cilat i janë bërë projektligjit në qeveri, pasi që është përfunduar puna në grupet punuese në ministrinë e drejtësisë, ato me të cilat Avokati i Popullit nuk është pajtuar. Sipas tij, këto ndryshime kryesisht kanë pasur të bëjnë me buxhetin, fuqizimin e institucionit si të tillë, konkretizimi i sanksioneve për institucionet që nuk i përgjigjen kërkesave të avokatit të popullit, etj.

Në anën tjetër, ish-Avokati i Popullit në Shqipëri, z. Ermir Dobjani, ka sjellë përvojën e tij si drejtues i këtij institucioni për rreth 10 vite në Shqipëri. Z. Dobijani paraqiti pikëpamjet e tij për projektligjin aktual për Avokatin e Popullit në Kosovë, duke u bazuar në përvojën e tij me ligjin e njëjtë në Shqipëri. Sipas z. Dobjani ligji shqiptar për avokatin e popullit është ndër më të mirët në rajon e me gjerë për këtë çështje, pasi që ky ligj ishte bërë me asistencën e KE-së. Z. Dobjani përmendi një mori fushash në të cilat duhet të ketë kujdes gjatë miratimit të ligjit për Avokatin e Popullit të Kosovës, duke përfshirë çështjet që mund t?i dërgojë avokati i popullit në Gjykatën Kushtetuese, strukturën e institucionit të Avokatit të Popullit, numri i punonjësve në Avokatin e Popullit, donacionet për Avokatin e Popullit, përzgjedhja e Avokatit të Popullit, mandati i zëvendësve të Avokatit të Popullit, etj.

Një çështje tjetër që u diskutua në këtë tryezë ishin edhe marrëdhëniet në mes të Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile, përkatësisht asaj se si duhej kjo çështja të rregullohej me ligj dhe si funksionin kjo në praktikë. Në fund të tryezës të pranishmit u pajtuan që çështjet që u diskutuan në këtë tryezë të paraqiteshin si rekomandime për projektligjin për Avokatin e Popullit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Kjo tryezë u organizua nga Instituti Demokratik i Kosovë (KDI) në kuadër të projektit të monitorimit të Kuvendit të Kosovës që financohet nga NED, ISC dhe BTD.