Diskriminimi i kandidateve gra në zgjedhjet e përgjithshme

24.07.2014

Zgjedhjet 2014 u vlerësuan si të drejta të lira dhe të barabarta -ndër të paktat që plotësuan standardet. A  kishte barazi gjinore në shfrytëzimin e kohës, hapësirës dhe  resurseve materiale  e humane, për prezantimin e  programeve dhe vizioneve politike? Këto çështje  mbeten të hapura.

 

Sistemi zgjedhor proporcional me një zonë zgjedhore, listat e hapura dhe vota prefernciale për pesë kandidatë, u krijojnë mundësi më të mëdha kandidatëtëve për deputetë që  të arrijnë një numrin e  nevojshëm të votave, duke marrë kështu legjitimitetin dhe besimin qytetarë për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.Në një zonë zgjedhore me një milion e shtatëqind mijë votues është shumë më e lehtë të grumbullohen vota sesa në një situatë kur Kosova do ishte e ndarë në zona, sepse numri i votuesve  do të ishte shumë më i vogël për një zonë. Në të dy situatat votat e nevojshme për të bërë deputet do të ishin të njëjta. Gjithashtu vota preferenciale, në krahasim me sistemin një votë një kandidat, nuk është votë reale nëse mund ta quajmë kësisoj, ndaj kjo mundësi është favorizuese për kandidatët. Mundësia për të votuar me lista të hapura gjithashtu e zbeh pronësinë e partisë sepse u krijon lirinë e kandidatëve dhe votuesve që  drejtpërdrejtë të ndërtojnë lidhjen dhe komunikimin mes vete, si dhe fuqizon idenë e raportit mes dhënies së besimit dhe kërkimit të llogaridhënies nga të zgjedhurit.Ky sistem zgjedhor përpos që është i favorshëm për të gjithë kandidatët, tenton të duket  i favorshëm apo së paku të japë një mundësi më shumë për kandidatet gra. Por, në fakt, kjo situatë është më tepër një mashtrim optik sesa një mekanizëm që ndihmon tejkalimin e mentalitetit patriarkal, paragjykimet edhe steorotipet gjinore. Madje, ky sistem nuk po mundëson e as nuk po krijon lehtësira në tejkalimin e kuotës gjinore. Gjithashtu, si sistem zgjedhor ka defekte të shumta, e sidomos tek mundësitë e barabarta për kandidatet burra dhe gra.

 

Kandidatët burra, duke dashur ta demonstrojnë fuqinë e tyre politike për t’u ngjitur majave të pushtetit  përmes numrit  sa më të madh të  votave, nuk zgjodhën  rrugë, mjete dhe  vlera që ofron demokracia. Ata  e patën  qasjen më të madhe në shfrytëzimin e kohës, hapësirës dhe resurseve materiale e humane, duke  dëmtuar kështu  standardet për votë të barabartë. Rrjedhimisht, ndihmuan në përforcimin  e stereotipeve se gratë  janë më pak kompetente për të pasur fuqi politike.

 

Në këtë mënyrë u krijuan grupet e ashtuquajtura “5-she”, që vepruan në stilin “ti mua-unë ty”, qoftë përmes takimeve të përbashkëta, shpërndarjes se fletëvotimeve me emrat e “pesësheve”, duke shfrytëzuar ndikimin për votë të diktuar. Kësisoj u përdor mentaliteti i “mëhallave”, dhe u ushtrua ndikimi nëpër komuna, në stilin e ndarjes së Kosovës në zona imagjinare, me qëllim të tentimit që asnjë votë të mos rridhte për kandidatët tjerë jashtë qyteteve të tyre.Një numër i deputetëve kështu arritën të bëhen pjesë e Kuvendit të Kosovës, mirëpo  më së shumti u dëmtuan kandidatet gra, ngase ishin jashtë këtyre pazareve të kandidatëve burra. Gratë iu nënshtruan një fushate të egër, të shkurtër në kohë dhe të pafavorshme për promovimin e planeve dhe projekteve të  tyre,  sidomos ato që për herë të parë u bënë pjesë e një gare zgjedhore. Ato nuk i patën mundësitë e promovimit dhe qasjes në media në mënyrë të barabartë, madje shpeshherë ekipet e subjekteve politike që prezantonin ofertat programore  nëpër  debatet zgjedhore përbeheshin ekskluzivisht nga burrat. Në takimet e mëdha zgjedhore nëpër qytete, ata që hapnin e mbyllnin takimet ishin liderët e partive politike dhe kandidatët burra. Gratë nuk kishin fuqinë ekonomike dhe materiale sikurse burrat, disa prej të  cilëve posedonin kapacitete enorme financiare  për ta mbështetur fushatën e veta. Gratë nuk arritën të jenë pjesë e “5-sheve”, sepse nuk mund të ishin dhe pjesë e kalkulimeve nëpër  oda ku bëheshin marrëveshjet me kryetarët e fisive e mëhallave, siç bënin kandidatët burra. Gjatë këtij procesi kishte dhe anaomali të shumta të cilat ishin dekurajuse dhe të pafavorshme për kandidatet gra.

 

Një  fushatë e tillë theu  vlerat dhe parimet e sistemit zgjedhor, vlerat e demokracisë, si dhe synimin e  një shoqërie për të qenë jo diskriminuese. Partitë politike dhe kandidatët burra forcuan mentalitetin patriarkal dhe përdoren përparësitë e këtij mentaliteti në favor të vetin. Dëmtuan standardin për votë të barabartë qoftë dhe pavetëdijshëm duke  diskriminuar kandidatet gra.

Nga ana tjetër, kishte edhe  thirrje për votimin e pesë  kandidateve gra, që bëheshin mbi baza individuale dhe vinin  si rezultat i përkushtimit të ndonjë aktivisteje feministe për ta transformuar këtë  diskurs politik dhe shoqëror. Por, shoqërisë i mungoi një organizim i mirëfilltë  dhe një lëvizje feministe që do të ishte kundër këtyre diskriminimeve dhe do të promovonte diversitetin gjinor në politik, përfshirë  të drejtat e kandidateve  gra dhe qasjen e barabartë në shfrytëzimin e kohës, hapësirës dhe resurseve materiale e humane.

 

Përkundër kësaj gare zgjedhore, të përshtatur dhe të shfrytëzuar nga kandidatët burra  me  mentalitetit patriarkal, votuesit kosovarë  lëvizën nga pozicionet e tyre dhe  treguan se dinë të tejkalojnë mentalitetin patriarkal dhe seksist që dominon në partitë politike.

Elektorati në një masë të konsiderueshme dhanë mesazhe të vetëdijesimit qytetar sepse me votën jashtë “5-shes” i theu disa barriera të imponuara.. Duke përjashtuar PDK-në, votuesit ia dolën ta renditin së paku një grua në “5-shet”, e para të subjekteve politike. Vjosa Osmani – LDK  (39.911 vota), Puhije Demaku VV( 15.270 vota), Donika Kada Bujupi- AAK  (6.143 vota) dhe Shukrije Bytyqi nga NISMA (6.023 vota) etj.Këto deputete gra dhe të tjerat  që tash janë pjesë e Kuvendit të Kosovës duhet të përdorin të drejtat e tyre, argumentet dhe fuqinë e tyre politike e vendimmarrëse, për të luftuar më shumë dhe më zëshëm. Grave u nevojitet një lëvizje feministe përmbajtjesore, një diskurs i ri politik për të drejtat e tyre.Ato duhet të angazhohen më fuqishëm për thyerjen e barrierave dhe steorotipeve  që mbretërojnë në subjektet e tyre politike. Është përgjegjësi e tyre  angazhohen fuqishëm për zhvillimin  e shoqërisë, tejkalimin e këtyre pengesave dhe sigurimin e standardeve demokratike të barazisë shoqërore.

 

Efekti i ndryshimeve më shumë pritet dhe kërkohet nga deputetet gra, sesa deputetët burra që u zgjodhën si rezultat i diskriminimit gjinor.

 

(Ky editorial i botuar në Koha Ditore me dt 24 korrik 2014, është përmbledhje nga debati “Fem Talk”; i organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore me temën “ Gratë dhe Zgjedhjet”)