Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot një takim në mes të deputetëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, znj. Safete Hadërgjonaj, z. Ali Lajçi, znj. Arbërie Nagavci, z. Enver Hoti dhe z. Mërgim Lushtaku, si dhe menaxhmentit të Doganave të Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të përgjithshëm i Doganave të Kosovës, z. Bahri Berisha.
Qëllimi i zhvillimit të këtij takimi ishte informimi nga afër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbi sfidat dhe zbatueshmërinë e marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të cilat bien në fushë veprimtarinëe doganave, si IBM, lëvizja e lirë, vulat doganore, mbledhja e të hyrave doganore, Fondit Zhvillimor për Veriun, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosën e masës mbrojtëse 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Drejtori i Doganave të Kosovës z. Bahri Berisha fillimisht informoi deputetët lidhur me të hyrat doganore për vitin 2018, të cilat u thanë se janë mbi 1 miliard euro, që paraqet rritje prej 2,26% në krahasim me vitin e kaluar.
Deputetët shprehën interesimin e tyre lidhur me tema të shumta, si Fondi Zhvillimor i Veriut, kontrabanda, sistemin e integruar të të dhënave doganore, vulat doganore, Menaxhimin e Integruar të Kufirit, bashkëpunimin ndërinstitucional, masën mbrojtëse 100%, si dhe tema tjera që lidhen me punën e doganave.
Lidhur me këto tema, drejtori i Doganave të Kosovës dhe zyrtarët tjerë të përfshirë në procesin e dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, i njoftuan deputetët me sfidat dhe sukseset në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Sai përket Fondit Zhvillimor të Veriut, z. Berisha njoftoi deputetët se që nga viti 2013, deri më 1 dhjetor të këtij viti, ky fond ka mbledhur të hyra në vlerë prej 15,521,732 euro.
Në anën tjetër, zyrtarët e Doganave të Kosovës është i përfshirë njoftuan deputetët e Kuvendit që gjitha dokumentet doganore të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Kosovë, janë kthyer nëkufi, deri sa janë sjellë dokumentet e rregullta. Ndërsa, në lidhje me tregtinë e lirë, përkatësisht vulat doganore, u tha se pala serbe ka vazhduar anashkalimin e marrëveshjes, me pretekstin e nevojës për ndryshime ligjore dhe kushtetuese, dhe ka vazhduar përdorimin e vulave paralele doganore në pikëkalimet në Merdare dhe Dheu i Bardhë. Mirëpo, si rezultat i raportimeve të shumta të palës kosovare për këto shkelje, Bashkimi Evropian e ka vendosur zbatimin e kësaj marrëveshje si kusht në Kapitullin e 35-të në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE.
Lidhur me Menaxhimin e Integruar të Kufijve, si një nga temat e diskutimit në dialog, u tha pala kosovare ka përmbushur në tërësi obligimet që dalin nga marrëveshjet, ndërsa pala serbe në vazhdimësi nuk i ka zbatuar pothuajse asnjë nga detyrimet e dakorduara me marrëveshje. Ndonëse marrëveshja parasheh ndërtimin e gjashtë pikëkalimeve kufitare, tri nga pala kosovare dhe tri nga pala serbe, drejtori i Doganave të Kosovës, njoftoi se pala serbe nuk ka filluar ndërtimin e asnjërës nga pikëkalimet kufitare, që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes. Për më shumë, pala serbe ka penguar edhe ndërtimin e pikëkalimeve nga ana e Kosovës në Bërnjak dhe finalizimin e pikëkalimit në Merdare. Për të gjitha këto pengesa dhe shkelje nga ana serbe, pala kosovare i ka raportuar në BE.
Në fund, zyrtarët e doganave njoftuan deputetët më në detaje lidhur me zbatimin e vendimit të Qeverisë, për masën mbrojtëse prej 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Lidhur me këtë, deputetët u njoftuan se ka rënie prej 5% në importet nga Serbia, për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Për më shumë, që nga dita e marrjes së vendimit për këtë aplikimin e kësaj mase, janë inkasuar vetëm 170,000 euro nga importet, deri sa para aplikimit të kësaj mase, kjo vlerë arrinte në rreth 2 milion euro për çdo ditë.
Doganat e Kosovës njoftuan se që nga zbatimi i kësaj mase, ka pasur një rritje relativisht të lehtë të rasteve të kontrabandës, sidomos malore, në kufijtë me Serbinë. Sidoqoftë, lidhur me këtë problem, zyrtarët e doganave kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mekanizmat tjerë të sigurisë, duke shtuar njësitë operacionale në ato zona për t’a parandaluar një dukuri në tillë.
Takimi është zhvilluar në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë, dhe Memorandumit të Mirëkuptimit me Kuvendin e Kosovës.