Viti 2015 ishte një vazhdimësi e viteve të kaluara në mungesën e përpjekjeve dhe rezultateve kundër korrupsionit në Kosovë. Mungesa e prioritetit për të trajtuar veprat korruptive, mungesa e dënimeve të zyrtarëve të lartë publikë për korrupsion, mungesa e vullnetit politik, ndërhyrjet politike, si dhe mos bashkëpunimi mes institucioneve, të gjitha këto kanë krijuar një klimë të mos ndëshkimit dukurive korruptive në Kosovë.
Prokurimi publik mbetet ende pika kritike ku fondet publike në mënyrë të paligjshme kalojnë në duar private dhe përfundimisht tek zyrtarët e lartë të lidhur ngushtë me institucionet udhëheqëse në Kosovë. Gjyqësori i dobët nuk i ka ndihmuar kësaj gjendje.
Korrupsioni vazhdon t’a ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve. Shkalla e lartë e papunësisë vjen si pasojë e mungesës së investimeve, të cilat në 2015 mbetën larg dyerve të Kosovës pikërisht nga korrupsioni dhe ngathtësia e gjyqësorit për t’a garantuar sundimin e ligjit. Liberalizimi i vizave është gjithashtu peng i proceseve të lidhura ngushtë me sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Nga bllokada politike e filluar në fillim të këtij viti e deri në eskalimin e dhunës në fund të këtij viti, kanë munguar përpjekjet e politikës për të adresuar problemin e korrupsionit si duhet. Në fakt, ka përpjekje për të ndërhyrë në fushat të cilat konsiderohen së janë të rregulluar mirë me legjislacion sikurse iniciativa për ndryshim të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Koalicioni qeveritar ka qenë i shurdhët përballë përpjekjeve të shoqërisë civile për të përmirësuar situatën rreth parandalimit të konfliktit të interesit. Shembuj si ky i fundit gjenden edhe në fushën e konsultimeve publike.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) gjatë vitit 2015 ka ofruar studime dhe rekomandime të ndryshme sikurse Vlerësimi i Sistemit të Integritetit Kombëtar që mund të jetë një udhërrëfyes i fuqishëm për të adresuar problemet më serioze. Sot në ditën kundër korrupsionit, disa nga këto rekomandime u shpërndahen institucioneve më relevante në formën e kartolinave, për të cilat urojmë të ketë determinim dhe vullnet për t’i adresuar.
KDI ka edhe qendrën për këshilla ligjore pa pagesë, për të gjithë ata që duan të raportojnë rastet korruptive. Shërbimet në këtë qendër nënkuptojnë ndihmesë pa pagesë në përpilim të rastit të raportuar me anë të këshillave ligjore, si dhe gjetjen e adresës adekuate për raportim. Rastet për të cilat kryesisht kanë raportuar qytetarët gjatë vitit 2015 janë:
· Rastet e fituesve të tenderëve në ministri të ndryshme, përmes kuotimit duke kurdisur kërkesat në favor të fituesit
· Rastet e nepotizmit në angazhim të stafit nëpër pozita të ndryshme shtetërore
· Rastet e moszbatimit të të drejtave të punëtorëve nga ana e kompanive private
Veprimet e ndërmarra nga KDI në kuadër të kompetencave të kësaj zyre, kanë rezultuar në anulime të tenderëve, anulimin e përzgjedhjes së stafit dhe ndryshim të sistemit të përzgjedhjes, etj.
Ftojmë qytetarët që të bëhen pjesë e përpjekjeve tona për të luftuar korrupsionin, duke denoncuar rastet në çdo kohë në numrin 0800 77 777 apo në e-mailin [email protected]