Në ambientet e KinoKlub në Prizren, më 13 shtator, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me DokuFestin kanë lansuar dokumentarin “Faji i Korrupsionit” si pjesë e projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Shfaqja e filmit u bë në mesin e nxënësve të shkollave të mesme të Prizrenit.
Shfaqja e dokumentarit u përcoll me sesion diskutimi, ku anëtarët e panelit – Alessandra Roccasalvo nga UNDP, Edis Agani nga BE, Hajrulla Çeku nga Ec Ma Ndryshe dhe Ismet Kryeziu nga KDI shkëmbyen vlerësimin e tyre kritik mbi përmbajten e dokumentarit. Si vlerësim i përgjithshëm doli që korrupsioni fillon në familje e shoqëri, e që faji kryesor duhet t’i vihet institucioneve për mungesën e integritetit dhe vullnetit për ta luftuar atë. Pas fjalimeve të panelistëve, nxënësit në audiencë ndanë përvojat e tyre personale të ballafaqimit me rastet e korrupsionit në arsim dhe ndikimin e tij negativ në perspektivën e shkollimit dhe punësimit.
Në përfundim të diskutimit, u përçua mesazhi kryesor që pavarësisht sistemit të dobët institucional, qytetarët përfshirë nxënësit/et duhet të jenë sa më proaktive dhe të zëshëm që të ushtrojnë presion dhe ndikim në rritjen e integritetit të institucioneve dhe avansimin e mirëqenies shoqërore në Kosovë.
Gjatë vitit, dokumentari do të vazhdojë të shfaqet me audienca dhe mediume të ndryshme.