Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe OJQ AKTIV, sot kanë publikuar Indeksin e Transparencës për 38 komunat e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Komunat janë vlerësuar në gjithsejt 48 indikatorë, të cilët e kanë burimin në legjislacionin vendor dhe në praktikat më të mira të transparencës dhe llogaridhënies publike.
Komuna më transparente për vitin 2019, është vlerësuar ajo e Rahovecit me gjithsej 85 pikë nga 96 sa janë maksimale, ndërsa komuna më së paku transparente është vlerësuar komuna e Mitrovicës Veriore me 39 pikë.
Dhjetë komunat me nivelin më të kënaqshëm të transparencës janë: Rahoveci (85 pikë), Mitrovica e Jugut dhe Prishtina (83 pikë), Drenasi, Vitia dhe Malisheva (80 pikë), Suhareka, Gjakova, Peja dhe Vushtrria (78 pikë).
Pesë komunat me nivelin më të ulët të transparencës janë: Deçani (50 pikë), Zubin Potoku (46 pikë), Fushë Kosova (45 pikë), Juniku (44 pikë) dhe Mitrovica e Veriut (39 pikë).
Në hapje të ngjarjes, Drejtori Ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu tha se përveç matjes së transparencës në 38 komuna sikurse edhe në vitet e mëparshme, KDI ka punuar aktivisht në 11 komuna duke organizuar dhe ndërmjetësuar më shumë se 240 takime me komunitetin dhe përfaqësuesit e autoriteteve komunale për të gjetur zgjidhje për problemet dhe prioritetet lokale.
Caleb Waugh nga OjQ Aktiv, theksoi se është me rëndësi të nënvizohet roli i organizatave joqeveritare në monitorimin e institucioneve dhe ushtrimin e presionit pozitiv për të garantuar transparencë dhe qeverisje të mirë”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, u shpreh se “Transparenca është vlerë thelbësore e demokracisë. Një udhëheqës me integritet do të duhej t’u tregojë qytetarëve të vet se si po shpenzohen taksat e tyre dhe se a po mbahen premtimet e bëra në fushatë zgjedhore”.
Ndërsa, ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Redzepi, u shpreh se “Përveç se parim, transparenca është detyrim kushtetues e ligjor i organeve të pushtetit, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Unë do të fokusohem në çështjen e zbatimit e ligjit për gjuhët, dhe shfrytëzimin e pronës publike”, theksoi ajo.
Përtej matjes së përgjithshme të nivelit të transparencës, komunat janë vlerësuar edhe për performancë në kategori të veçanta, si organizim të dëgjimeve buxhetore apo për përpjekjet të dukshme për t’a përmirësuar nivelin e transparencës nga vitet paraprake. Në këtë drejtim u ndanë edhe çmimet në vjim:
· “Komuna më transparente për vitin 2019”, ajo e Rahovecit
· “Kuvendi i Komunës me numrin më të madh të takimeve buxhetore të organizuara në 2019”, ajo e Malishevës.
· “Ekzekutivi me numrin më të madh të takimeve buxhetore të organizuara për 2019”, ajo e Suharekës
· “Komuna me përmirësimin më të madh në nivelin e transparencës për 2019”, ajo e Graçanicës
Raporti i plotë mund të shkarkohet këtu
Projekti “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale” realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.