Faza përmbyllëse e dialogut Kosovë-Serbi është duke vazhduar me mungesë të theksuar të transparencës dhe pa koordinim të spektrit politik. Duke qenë se Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës, i cili në fund do të jetë përgjegjës për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare dypalëshe, KDI më 29 Maj 2018 bëri thirrje për një seancë të jashtëzakonshme në të cilët do të debatohej për platformën shtetërore rreth dialogut.
KDI shpreh mbështetjen për nismën e ndërmarrë nga grupi parlamentar i PSD-së për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi dhe fton partitë politike parlamentare të mobilizohen për të mbledhë nënshkrimet e nevojshme për të ftuar këtë seancë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të vullnetit të popullit nuk mund të shmangen nga përgjegjësitë që lidhen me të ardhmen e procesit, ndërsa institucionet e tjera me veprimet e tyre nuk duhet të anashkalojnë rolin e Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror.
Platforma e shtetit të Kosovës duhet të përcaktohet në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë legjitimitet këtij procesi shtetëror përmes miratimit të një rezolute e cila do të përcaktojë edhe vijat e kuqe të Kosovës duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë.