Të zbresësh e hipësh në emër të shtetit

09.10.2014

Njëra palë nuk dëshiron të na zbresë për shtetin, e pala tjetër dëshiron të na hipë, gjithashtu për shtetin. E vërteta e përbashkët e këtij përkufizimi është se të gjithë duan të na hipin.

 

Kriza institucionale që po ndodhë që nga 8 qershori, për të mos thënë shumë para kësaj kohe, ka betonizuar idenë se klasa politike, por edhe shoqëria kosovare, ditë e më shumë po demonstrojmë paaftësi për bërjen e shtetit. Mungesa e institucioneve me legjitimitet të plotë dhe ngecjet  e krijuara në përgjegjësit e institucioneve përballë nevojave dhe përgjegjësive në politikën kombëtare dhe ndërkombëtare, janë duke reflektuar në mirëqenien e qytetarëve dhe humbjen e besimit qytetar në politikën dhe jetën publike.

  Shumë e parëndësishme është kush do të jetë kryeparlamentari e kush kryeministri. Më së paku, kjo do të jetë e rëndësishme për ndikimin në jetën e qytetarëve. Pjesëmarrja  në jetën politike, madje edhe si tërësi në mozaikun e  jetës publike përditë e më shumë po perceptohet nga qytetarët si një instrument për  përfshirje në kleptokraci, një gjendje e pakufizuar e korruspsionit politik, apo siç njihet ndryshe “rregulla hajdutësh”. Kleptokracia gati se është bërë normë shoqërore edhe po shihet  si një instrument apo mundësi që na mban të gjithë së bashku, dhe vështirë të gjendet instrument më i fuqishëm me kundër reaksion që mundë të na ndajë.

    Idealet, kauza dhe vlerat për një shoqëri demokratike u konsumuan për të mos thënë u karbonizuan. Ndjenjat më fisnike u  shkelen, u bastarduan dhe jo vetëm që ndytën idealet, shtypën vlerat (ato që kishim), por duke u tunduar nga interesi  e lakmia bëmë helaq gjithçka. Qytetarët kanë humbur besimin, por edhe shpresën se ky trend i zhvillimeve shoqërore pavarësisht nga dallimet dhe diversiteti shoqërore mundë të nxjerrin një lider që këndvështrimin e tij politik e ndërton mbi vlera, me premisa të një burrështetasi që kthen besimin dhe shpresën në shoqëri.

   Gjithkund dhe për gjithçka përplasjet politike e ideore, e kanë shijen e imponimit të së vërtetës që posedoi unë, mohimit, zemërimit, dëshpërimit e  akuzës. Nuk është as dramatike e as disfatiste të shohësh një ditë se ky nuk është shteti i ëndrrave, as i atyre të mija, por as i ëndrrave tuaja.

Presidenti amerikan, Barack Obama në librin “Guximi për të shpresuar”, në kontekst të rikthimit të ëndrrës amerikane shkruan: “Fetarë apo ateistë, të zinj, të bardhë apo ezmerë, ne ndiejmë me të drejtë se sfidat më domethënëse për kombin po anashkalohen dhe, poqëse nuk ndërrojmë kurs menjëherë, ndoshta do të jemi gjenerata e parë, pas kaq e kaq kohësh që do të lerë pas një Amerikë më të dobët dhe më të dërrmuar se ajo që trashëguam nga paraardhësit tanë “.

   Ne kishim shansin edhe obligimin qytetar  që të ndërtonim një shoqëri më të mirë se ajo që trashëguam, kishim ëndrrën dhe mundësinë. Por çfarë bëmë?!  Prodhuam shumë patriotë e  tradhtarë, shumë luftëtarë e veteranë, shumë parti e  politikanë, shumë shërbime e spiunë, shumë universitete, doktorë shkencash e akademik, analistë e publicistë, shumë OJQ e aktivistë. Bëmë shumë vrasje e kërcënime, ryshfet, nepotizëm, favorizim të miqve, grabitje e haraç, pastrim të parave, trafik të drogës, qenieve njerëzore e gjithçka tjetër. Por, në këtë mori gjërash, nuk e bëmë: mirëqenien,  vlerat dhe shpresën. Madje, besimi, shpresa dhe vlerat as që mund të vërehen në horizont. Të gjithë sikur e ndjejmë se na vjen erë qelbi, sikur kutërbojmë, sepse kemi shkelur në ndyrësirat që bënë të tjerët, e veten e pretendojmë të pastër duke i bishtëruar përgjegjësisë. Gjithçka që bëmë në këtë shoqëri po i vjen era, aq shumë po kundërmon  sa që po na zihet fryma.

   Ata që erdhën në pushtet në emër të bërjes së shtetit, tani s’duan të ikin nga pushteti, gjithashtu në emër të shtetit dhe me një arsyetim anakronik se shtetit s`mund t`i bëjnë argat nga opozita.

 Këta që ishin në pushtet për bërje të shtetit tani akuzojnë shtetin se nuk po funksionon dhe është kapur,  shtetin  për të cilin dje kontribuuan vetë për të qenë jofunksional sot.  E ata  që dje e shanë shtetin e pushtetin, sot befasisht kërkojnë pushtetin në emër të kauzës së shtetit.

  Kjo përveç se përngjet me hipokrizi, para se gjithash paraqet moralin e diskredituar politik mbi të cilin po përpiqet të ndërtohet kauza shtetërore. Njëra palë nuk dëshiron të na zbresë për shtetin, e pala tjetër dëshiron të na hipë, gjithashtu për shtetin. E vërteta e përbashkët e këtij përkufizimi është se të gjithë duan të na hipin.

 

(Opinion i botuar me 09 tetor 2014, në Koha Ditore)