sq

Shoqëria civile kërkon tërheqjen e Projektligjit për financimin e subjekteve politike

Reagime 05.06.2019

Komisioni për Legjislacion, në mbledhjen e mbajtur sot ka #Refuzuar miratimin e raportit me rekomandime për Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. Refuzimi nga komisioni është në përputhje me kërkesat e shoqërisë civile, e cila ka vlerësuar që ky projektligj cenon frymën kushtetuese, zvogëlon mbikëqyrjen dhe kontrollin mbi financat e subjekteve politike, dhe e ulë transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut.

Krahas qëndrimeve të shoqërisë civile, edhe Raporti i fundit për Kosovën i Komisionit Evropian, ka ritheksuar nevojën që në Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, të reflektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias në mënyrë që të garantohet transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi efektiv i mekanizmave ligjor mbi këtë çështje.

Në javët e fundit, grupi i organizatave të shoqërisë civile në takimet direkte me grupet parlamentare dhe përmes letrës së hapur i është drejtuar publikut dhe ligjvënësve me argumentet të cilat shpërfaqin mangësitë e projektligjit, ndër të tjera cenimi i pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve politike dhe mos adresimin e prioriteteve që parashihen me Agjendën për Reforma Evropiane (ERA).

Organizatat e Shoqërisë Civile e ritheksojnë kërkesën drejtuar Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që të tërheq Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. Miratimi i një ligji të tillë nga Kuvendi i Kosovës do të thotë kundërshtim i të gjitha standardeve ndërkombëtare për financimin e subjekteve politike dhe vet frymës së Kushtetutës së Kosovës.

 

#paratetonastandardettona

#terhiqeniligjin

 

 

Nga organizatat:

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Demokraci për Zhvillim (D4D)

Lëvizja FOL

Çohu

Demokraci Plus (D+)

Balkan Investigative Reporting Network (BIRN)

Westminster Foundation for Democracy (WFD)

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)